Ekipeve nga mbarë bota u është bashkuar edhe Forca e Sigurisë së Kosovës në kërkim shpëtim në Hataya, një prej zonave më të shkatërruara nga tërmeti.
Nën presionin e kohës, motit të keq e vështirësive tjera të shumta, ushtarët e FSK-së nxorën të gjallë nga rrënojat fëmijë e pleq.
“Sigurisht që ka qenë një ndjenjë shumë e mirë për të arritur të nxjerrë persona të gjallë. Ka qenë një vajzë e vogël së bashku me nënën e saj. Kanë qenë bashkë në një vend. Pastaj kemi arritur të nxjerrim një burrë rreth 50 vjeç dhe një vajzë rreth 13 vjeçe”, u shpreh Egzon Syla-Kapiten i ekipit të kërkim shpëtimit të FSK-së.
Puna e FSK-së në Turqi vazhdon ndërkohë që situata është e rënduar.
“Mund të them që asnjë ndërtesë këtu nuk ka mbetur e sigurt për të qëndruar banorët atje”, shtoi më tej ai.
Derisa shpresa për të gjetur të gjallë ka filluar e zbehet, ekipet vullnetare nga Kosova, të martën arritën të shpëtojnë nga gërmadhat një fëmijë tre vjeçar.
Vullnetarët ka një javë që ndodhën në Hatay të Turqisë në dhimbje përshkruajnë situatën atje.
Tërmeti i gjashtë shkurtit që preku Turqinë dhe Sirinë la të vdekur mbi 30 mijë persona derisa numri pritet të rritet kur kanë kaluar më shumë se një javë.