MPPS: “Kopshtet e fëmijëve nuk guxojnë të mbyllen”

Ministria për Punë dhe Politikë Sociale, ka reaguar në lidhje me grevën e paralajmëruar nga SAShK-u. Nga kjo ministri thonë se greva në institucionet parashkollore, është e drejtë është e garantuar e punëtorëve në pajtim me Kushtetutën, por gjatë ushtrimit të së drejtës së grevës, nga punëtorët kërkohet që të sigurojnë punën minimale të pandërprerë të institucioneve dhe të nevojshme, përkatësisht kujdesi dhe edukimi i pandërprerë i fëmijëve të ciklit parashkollor.

“Në përputhje me Konventën për të Drejtat e Fëmijës, dispozitat e Kushtetutës dhe Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, është e drejtë e patjetërsueshme e fëmijëve që t’u sigurohet kujdes dhe arsimim në institucionet parashkollore si formë e mbrojtjes së fëmijëve.

Sipas Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, në institucionet parashkollore për fëmijë, kryerja e veprimtarisë së përkujdesit dhe edukimit të fëmijëve parashkollorë nuk guxon të ndërpritet përveç rasteve emergjente (fatkeqësi natyrore, epidemi etj.), për të cilat vendos themeluesi, dhe pas pëlqimit paraprak nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, por jo gjatë grevës.

Të gjitha institucionet parashkollore duhet të respektojnë Ligjin, Kushtetutën dhe Konventën për të Drejtat e Fëmijëve dhe të organizojnë procesin e kujdestarisë. Ndaj, informojmë opinionin dhe prindërit se të gjitha institucionet parashkollore në ditët e grevës së paralajmëruar, do të kryejnë aktivitetin e tyre të kujdesit dhe edukimit të fëmijëve si më pare.”. thonë nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale.

Për Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, kujdesi për më të vegjlit, fëmijët është prioritet dhe mbrojtja e të drejtave të tyre është përgjegjësia e përbashkët, thonë nga kjo ministri.