Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor – ILECU e Policisë së Kosovës i ka njoftuar se autoritetet serbe, më datë 22/07/2024, kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi dhe të njëjtat shenja së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë.
Sipas MPJD-së pas krahasimit nga AKF, ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë, Faton Hajrizi.
“Duke lutur opinionin që të gjitha këto lajme nga Serbia të merren me rezervë deri në konfirmimin e plotë të tyre, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do t’ju mbajë të informuar sapo të ketë informacione të reja në lidhje me këtë rast”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.