Trotinetë dhe biçikleta u ka blerë të punësuarve në ministrinë e Punëve të Jashtme, ministri Bujar Osmani. Ai thotë se diplomacia e gjelbër është një normalitet i ri. Osmani thotë se shembujt e tillë e ndihmojnë rrethinën dhe kontribuojnë në ambient sa më të pastër.
Bujar Osmani
Për këso lloj destinacionesh të përditshme të shkurta, duhet të tentojmë, aq sa mundemi dhe sa na japin hapësirë rrethanat, të shfrytëzohen biçikleta dhe trotinete elektrike. Përmes shembujve të këtillë, e ndihmojmë veten, u krijojmë hapësirë të tjerëve, e ndihmojmë rrethinën dhe natyrën, për të pasur ambient më të pastër jetësor”
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i opozitës shqiptare. Ata thonë se shëmtia e BDI-së, nuk mund mbulohet as me pudër, as me ngjyrë e as me rrena. Sipas tyre, blerja e disa trotineteve për të punësuarit në Ministrinë e Punëve të Jashtme është vetëm një tentim për të mbuluar luksin e funksionarëve të BDI-së.
ASH-AAA
Në prag të zgjedhjeve lokale, Bujar Osmani dëshiron tu hedh hi syve të qytetarëve, përderisa bashkëpartiakët e tij, kryetarët e Komunave të Dibrës, Strugës, drejtorë të ndërmarrjeve publike, si dhe vetë Qeveria, shpenzojnë miliona denarë për vetura të shtrenjta. Tani që ministri ka dështuar në çdo fushë të përgjegjësisë dhe ka sjellur diplomacinë tonë dhe procesin integrues ne gjendje kolapsi, i del kohë të bëjë PR koti me trotinet 200 euroshe.
Në fund ata urojnë që së paku trotinetët t’i ketë blerë me çmim të tregut, duke patur parasysh të kaluarën e tij, e cila sipas tyre është përplot me dyshime korruptive kur është fjala për tenderë publik.