MPJ: Si vend i NATO-s, Maqedonia e Veriut i bën thirrje Rusisë që të tërheqë ushtrinë nga Ukraina

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut e dënoi vendimin e djeshëm të Kremlinit zyrtar me çka forcat ushtarake ruse sulmuan Ukrainën.

“Me veprime ushtarake të paprovokuara dhe të pajustifikuara, Rusia po e shkel rëndë të drejtën ndërkombëtare, Kartën e OKB-së dhe parimet dhe angazhimet e OSBE-së, duke e minuar kështu arkitekturën e sigurisë evropiane, si dhe stabilitetin global. Maqedonia e Veriut, në aleancë me shtetet e tjera anëtare të NATO-s, i bashkohet thirrjes ndaj Rusisë që t’i ndërprejë menjëherë armiqësitë, ta tërheqë ushtrinë e saj nga Ukraina dhe ta respektojë plotësisht integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës”, thuhet mes tjerash në reagimin e MPJ.

Nga MPJ thonë se veprime të tilla do të çojnë në mënyrë të pashmangshme në viktima të shumta njerëzore, me pasoja të mëdha për paqen botërore, ekonominë dhe zhvillimin botëror, për të cilat Rusia dhe Moska zyrtare do të jenë plotësisht përgjegjëse.

“Duke e pasur parasysh seriozitetin e situatës dhe thellësinë e shkeljes së rendit ndërkombëtar bazuar në rregulla, Maqedonia e Veriut sot bëri një hap politik duke e sjellur vendimin që t’i bashkohet paketës së re të masave restriktive të BE-së lidhur me situatën në Ukrainë, me rekomandim për t’iu bashkuar të gjitha vendimeve të BE-së për këtë lloj masash restriktive. Gjithashtu, me propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Qeveria solli vendim që t’i bashkohet grupit tjetër të masave restriktive nga viti 2014, lidhur me sanksionet e deritanishme të BE-së kundër Federatës Ruse, me çka Republika e Maqedonisë së Veriut plotësisht ose 100% do të harmonizohet me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian. Këto vendime janë në përputhje me angazhimin euroatlantik të vendit dhe janë në përputhje me interesat e tij strategjike dhe shtetërore”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme njoftojnë se janë në kontakt të vazhdueshëm me Ambasadën tonë në Kiev dhe se do t’u sigurohet strehim i përkohshëm shtetasve tanë në Ukrainë, të cilët nuk kanë strehim në RMV:

“Të gjithë shtetasve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe anëtarëve të familjeve të tyre, të cilët ndohen në rajonet e krizës në Ukrainë dhe të cilët do të kërkojnë mbrojtje dhe strehim të përkohshëm, por nuk kanë strehim të tyre në Maqedoninë e Veriut, Ministria e Punëve të Jashtme në koordinim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale do të sigurojë akomodim të përkohshëm në kapacitetet që do t’i sigurojë shteti”, thuhet në njoftim.