Serbia akuzohet nga ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës për shitje dhe falje të armëve si mjet për të ndalur njohjet e Kosovës.
Sipas MPJ-së, kjo gjë ndodh kryesisht në vendet afrikane dhe se armët serbe po përdoren edhe nga organizata terroriste, Boko Haram
Ndër të tjera përmes njoftimit të saj për shtyp ministria e Jashtme shpreh shqetësimin e thellë mbi publikimin e dëshmive bindëse nga Organizatat kredibile ndërkombëtare, siç është Amnesty International se armatimi i prodhuar në shtetin serb vazhdon të përdoret nga disa shtete afrikane, të cilat bëjnë shkelje sistematike të të drejtave të njeriut dhe madje përdoren edhe nga luftëtarët e Organizatës Terroriste Boko Haram.
Gjithashtu ajo I bën thirrje Komunitetin Ndërkombëtarë që të rrisë kontrollin, verifikimin dhe mbikëqyrjen e sjelljeve dhe veprimeve të tilla të shtetit serb në kontinentin afrikan, të cilat në mënyrë të tërthortë i kontribuojnë abuzimeve të të drejtave themelore të njeriut dhe kërcënimit serioz të paqes dhe sigurisë.
Ndër të tjera në vijim të deklaratës Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se publikimi i këtyre dëshmive forcon bindjen se Serbia ka përdorur dhe po përdorë shitjen dhe faljen e armëve si mjet të diplomacisë për të joshur disa shtete jo-njohëse të Republikës së Kosovës në kontinentin afrikan, që mos të ndërmarrin një hap të tillë.