Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) njofton se pas marrjes së informacionit për aksidentin në Posidi të Greqisë, prej dje përfaqësitë e diplomatike dhe konsullore të vendit në Greqi janë në komunikim intensiv me autoritetet kompetente greke, respektivisht me Shërbimin Bregdetar të Shpëtimit.
Nga Ministria e Jashtme thonë se sipas informacioneve të deritanishme, dje rreth orës 15:00 tre shtetas tanë të cilët kanë hyrë në det, për shkak të stuhisë së keqe, janë gjetur në një situatë të pafuqishme duke u larguar nga bregu.
“Me ndihmën e një mjeti lundrues privat, një nga të rrezikuarit është shpëtuar ditën e djeshme pasi ka qëndruar dy orë në ujë. Pas vazhdimit të kërkimeve ditën e sotme, mëngjesin e sotëm është marrë konfirmimi për gjetjen e një anëtari tjetër të grupit, i cili gjithashtu është në gjendje të mirë shëndetësore, ndonëse prej kohësh ndodhej në ujë”, thonë nga MPJ.
Nga ministria njoftojnë se Konsullata e Përgjithshme e Maqedonisë së Veriut në Selanik është në komunikim me familjet e shtetasve në rrezik dhe është në dispozicion për çdo ndihmë. Ndërkaq, vijojnë kërkimet e Shërbimit Bregdetar grek për gjetjen e personit të tretë të zhdukur.
Sipas mediave vendase, njëri prej tre miqve kishte ditëlindjen dhe ata shkuan në Halkidiki për të festuar dhe në një moment hynë në det për të notuar, duke injoruar erën e fortë dhe dallgët. Disa prej të pranishmëve në plazh kanë vënë re se ata ishin larguar dhe kanë njoftuar menjëherë shërbimin bregdetar dhe më pas ka nisur aksioni./Portalb.mk/