Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut në një komunikatë thekson se për shkak të përkeqësimit serioz të situatës së sigurisë në dhe rreth Ukrainës, u bën thirrje shtetasve të RMV-së që janë ende në Ukrainë, që të largohen menjëherë nga vendi për shkak të mundësisë së përshkallëzimit të konfliktit.
“Prandaj, u bëjmë thirrje të gjithë shtetasve të Maqedonisë së Veriut që kanë planifikuar të vizitojnë Ukrainën në periudhën e ardhshme, që të shmangin udhëtimet në atë vend”, thonë nga MPJ.
Ata shtojnë se po e monitorojnë nga afër situatën dhe është janë komunikim të vazhdueshëm me partnerët dhe aleatët me të cilët shkëmbejnë informacione dhe analiza për gjendjen aktuale në baza ditore.
MPJ rikujton thirrjet e mëparshme drejt qytetarëve që ndodhen në Ukrainë e të cilët ende nuk i kanë lënë të dhënat e tyre në Ambasadë, të kontaktojnë Ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Kiev, për të dorëzuar të dhënat e tyre në këto numra telefonit:
+380442877882
+380663951190
e-mail: [email protected]
Po ashtu, shtetasit e RMV-së mund të kontaktojnë Ministrinë e Punëve të Jashtme në linjën telefonike +389 75 273 732 dhe në adresën elektronike: [email protected]
“Njëherazi, kujtojmë të gjithë shtetasit tanë, si ata që janë këtu dhe ata që janë në Ukrainë, apo kudo, të ndjekin dhe të informohen nga kanalet zyrtare të informacionit që vijnë nga Ministria e Punëve të Jashtme, rrjetet sociale të Ministrisë dhe Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Kiev”, thonë nga MPJ.
Ministria e Punëve të Jashtme komunikon se do të vazhdojë të monitorojë situatën në Ukrainë dhe të informojë në kohë për udhëzimet e mundshme për veprim për shtetasit tanë.