MPJ e Gjermanisë dënon sulmin terrorist në Zubin Potok: Përgjegjësit të sillen para drejtësisë

Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë e kanë dënuar ashpër sulmin terrorist në Zubin Potok, sulm ky i cili rrezikoi furnizimin me ujë dhe energji elektrike për qindra mijëra qytetarë të Kosovës.

Përmes një shkrimi në X, MPJ e Gjermanisë është solidarizuar me Kosovën, duke kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

“Gjermania bashkohet me Bashkimin Evropian në dënimin më të ashpër të sulmit terrorist të djeshëm ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës. Solidaritet i plotë me Kosovën. Ata që janë përgjegjës duhet të dalin para drejtësisë”, thuhet në reagimin e tyre.

Autoritetet Kosovare i kanë arrestuar tetë të dyshuar dhe kanë konfiskuar armatim, pas një operacioni të gjerë në veri në lidhje me shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit.

Drejtori i policisë, Gazmend Hoxha, ka thënë se gjatë sulmit të mbrëmshëm në Ibër-Lepenc janë përdorur sasi të konsiderueshme e eksplozivit nga 15-20 kg, ndërkaq tha se në bazë të hetimeve deri tash “kemi të bëjmë me një grup mirë të organizuar”.

Ai tha se janë sekuestruar prova të shumta materiale që mund të ndërlidhen me këto raste apo edhe me raste të tjera që po hetohen nga Policia e Kosovës.

Hoxha bëri të ditur se gjatë bastisjeve të sotme kanë konfiskuar mbi 200 uniforma ushtarake, 6 zolla, 3 granata dore, 2 armë AK47, 1 revole, municion të kalibrave të ndryshëm, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, para dhe pajisje të tjera.

“Janë sekuestruar mbi 200 uniforma ushtarake, gjashtë raketahedhës dore apo zolla, prej të cilave tri janë të përdorur, tri granata dore, dy armë automatike AK-47, një revole, municion të kalibrave të ndryshëm, pjesë të armëve, fitila ndezës për lëndë plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, kartëmonedha në euro dhe dinarë dhe pajisje tjera elektronike. Po ashtu në një rast të ndarë në Zveçan sot, Policia e Kosovës ka gjetur të fshehur sasi të konsiderueshme të armatimit dhe gjësendeve si në vijim: dy armë automatike AK-47, tri revole, një armë e gjuetisë, dy armë rekreative, gjashtë karikatorë të armës K 47, municion të kalibrave të ndryshëm e uniforma ushtarake”, tha Hoxha.