MPB: Qytetarët të mos bien pre e mashtrimeve me aksidente të rrejshme trafiku, rastet menjëherë ti denoncojnë në polici

MPB njofton se në rajonin e SPB Shkup periudhën e kaluar janë regjistruar më shumë vepra penale “mashtrim” të cilat janë kryer ndaj personave në moshë. Autorët i sjellin në lajthitje personat në atë mënyrë që iu paraqiten përmes telefonit dhe prezantohen si persona zyrtarë dhe nga ata kërkojnë mjete financiare për lirim nga ndjekja penale të fëmijëve ose nipërve të tyre, kinse kanë kryer aksident trafiku me pasoja fatale. Mashtruesit i kontaktojnë viktimat më së shpeshti përmes telefonit fiks, por ka raste kur kontakohen edhe përmes telefonave celularë me numër të fshehur, kurse që të jenë sa më bindës në afërsi dëgjohet zë i femrës e cila kërkon ndihmë.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe SPB Shkup i informon qytetarët se po ndërmerren masa dhe aktivitete për zbardhjen e veprave penale të denoncuara dhe në të njëjtën kohë apelon te qytetarët të mos bien pre e llojit të këtillë të mashtrimeve, kurse nëse kontakohen menjëherë rastin ta denoncojnë në polici.