MPB mohon akuzat e VMRO-së: Përgjigje kërkoni në gjykatë, për Naim Samiun janë parashtruar 15 kallëzime penale

Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë demantuar akuzat e VMRO-DPMNE-së për lidhje të këtij institucioni me arratisjen e Naim Samiut nga Shemshova e Tetovës. Nga MPB thonë se përgjigje për arratisjen e Samiut duhet të kërkohet në gjykatën përgjegjëse.

“Në vend që të përhapin gënjeshtra për MPB-në, të dërgohen pyetje të paqarta në adresë të gabuar, ata t’i referojnë pyetjet në gjykatën kompetente. Ndërsa faktet tregojnë se policia ka vepruar sipas gjithçkaje që është marrë si vendim nga gjykata. Pikërisht pas kallëzimit penal nga SPB-Tetovë më 16.08.2023, Samiut i është caktuar masa e paraburgimit aktiv dhe më 29.09.2023, masa e paraburgimit aktiv është zëvendësuar me masën e arrestit shtëpiak nga Gjykata Themelore e Tetovës. Përveç kësaj, informojmë opinionin se ndaj Samiut janë parashtruar 15 kallëzime penale për gjithsej 30 vepra penale, pastaj 4 kallëzime për kundërvajtje, si dhe një njoftim me shkrim në PTHP-Tetovë. Një tjetër dëshmi për gënjeshtrat e VMRO-DPMNE-së”, shtojnë nga MPB.