MPB Maqedoni: Punojmë për zbardhjen e rastit në pikën kufitare “Bllacë”

Një zyrtar policor i angazhuan në pikëkalimin kufitar mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës ka përfunduar në arr*est për marrje ryshfeti, kështu ka deklaruar Zëvendësministri për Punë të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Nazim Bushi. Pas deklaratës së zv.ministrit Bushi, edhe nga Ministria për Punë të Brendshme informuan se po punojnë në zbardhjen e plotë të rastit.

”Sektori për kontroll të brendshëm në koordinim me prokurorinë kompetente që nga mbrëmë ka punuar intensivisht për zbardhjen dhe sanksionimin e një rasti të ryshfetit nga ana e zyrtarëve policorë në vendkalimin kufitar Bllacë. Pas zbardhjes së rastit dhe sanksionimit të autorëve, do të informojmë publikun më gjerësisht për këtë”, thuhet në deklaratë.

Nga publikimi i rastit në emisionin “Stop” në televizionin Klan, u privua nga liria personi me inicialet E.Sh nga Shkupi, shef turni në pikëkalimin mes RMV-së dhe Kosovës, ndërsa zyrtari tjetër policor që duket në video mësohet se është Z.R. Personi i arr*estuar kishte kërkuar ryshfet për një shërbim që duhet të ishte falas.