Skandali me thirrjet telefonike nga vendet e huaja po vazhdon. Telefonatat dyshohet të vijnë kryesisht nga vendet si Lituania dhe Estonia, ndërsa shumicën e rasteve mbartin prefiksin +370 (668), +370 (669), +48 780, +881. Nga MPB thonë se janë të njoftuar me rastet dhe se së bashku me operatorët po punojnë për tejkalimin e problemit.
Ministria e Punëve të Brendshme – Sektori për krim kompjuterik është i njoftuar me këtë dukuri dhe është realizuar kontakt me operatorët e shërbimeve me qëllim të informimit por edhe për parandalimin, për mbrojtjen e qytetarëve. Njëkohësisht njoftojmë se në pjesën e kualitetit të shërbimeve që i ofrojnë operatorët dhe për mbrojtjen e qytetarëve përgjegjës janë vetëm operatorët”-thonë nga MPB.
Nga kompania T-Mobile njoftojnë se dyshohet për sulm kibernetike ndërsa rekomandojnë që përdoruesit e shërbimeve të tyre të mos hapin telefonatat dhe të paraqesin numrat e dyshimtë, në mënyrë që numrat e tillë të bllokohen.
Ky mashtrim ndërkombëtar në botë njihet si “Vangiri” dhe ka origjinë nga Japonia. Por çfarë ndodh nëse i përgjigjeni thirrjes? Ju lidheni me të ashtuquajturat numra premium dhe tentohet që të mbaheni sa më gjatë në linjë. Sa më gjatë të qëndroni në linjë telefonike , aq më e shtrenjtë do të kushtoj thirrja dhe aq më e lartë do të jetë fatura./Alsat