Nga MPB konfirmojnë se një automjet ka dalë nga rruga dhe ka rënë në lumin Vardar, në drejtim të fshatit Rashçe. Aktualisht, njësia speciale “Tigrat”janë në terren dhe po e nxjerrin automjetin nga lumi.
“Me datë 02.01.2025 në orën 16:00 është raportuar në SPB Shkup se një automjet udhëtar ka dalë nga rruga dhe ka rënë në lumin Vardar,” njoftojnë nga MPB.
“Menjëherë në vendngjarje janë dërguar oficerë policie dhe shërbimi i Ndihmës së Shpejtë, ndërsa ekipi i SAE Tigrat ka marrë masa për nxjerrjen e automjetit. Po ashtu, në vendngjarje është edhe prokurori publik,” shtojnë ata.
Ata po mbledhin informacione zyrtare për pasagjerët në automjet.
Sipas informacioneve jozyrtare, bëhet fjalë për një çift, të cilët ishin duke udhëtuar me një djalë të tyre dhe nusen e djalit tjetër. Alsat ka mësuar se pasagjeri i pestë është një fëmijë pesëvjeçar, i cili ka dalë përpara automjetit para se ai të binte në lumë. Fëmija u gjet nga kalimtarë të rastit dhe me ndërhyrjen e tyre u dërgua në spitalin “8 Shtatori” në Shkup. Akoma nuk ka informacion në lidhje me gjendjen shëndetësore të fëmijës. Në vendngjarje kanë mbërritur tashmë forca policie dhe zhytës, të cilët po marrin pjesë në kërkimin e katër personave të tjerë.