MPB: Arsyeja e vdekjes së nënës dhe fëmijës në Sllatinë është helmimi


Ministria e Punëve të Brendshme, së bashku me Prokurorinë Publike të Tetovës, po ndërmerr masa dhe aktivitete për të sqaruar ngjarjen në fshatin Sllatinë të Tetovës, ku dje u gjetën të vdekur një nënë dhe fëmija i saj. Të dhënat e para nga obduksioni i urdhëruar sugjerojnë helmimin si një arsye të mundshme për vdekjen e personave, prandaj janë marrë mostra nga të vdekurit për analiza toksikologjike të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e helmimit. Nuk janë gjetur prova të tjera të dhunës te të vdekurit.

Po ashtu, me urdhër të prokurorit, do të merren mostra gjaku dhe urine edhe nga anëtarët e tjerë të familjes – babai dhe një fëmijë tjetër, për të verifikuar mundësinë e pranishmërisë së toksinave edhe te ata. Po merren edhe masa të tjera për sqarimin e plotë të rastit.