MPB arrestoi edhe dy persona tjerë nga protesta e 5 korrikut

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njoftoi se ka arrestuar edhe dy persona të tjerë për pjesëmarrje në protesta të dhunshme kundër propozimit francez më 5 korrik.

Bëhet fjalë për dy banorë të Shkupit, D.J. (32) dhe S.J. (18). Ndaj tyre është ngritur kallëzim penal pas procedurës së shpejtë për veprën penale “pjesëmarrje në turmë që do të kryejë krim”.

“Ata dyshohen se më datë 05.07.2022 rreth orës 21:00, gjatë një takimi publik të paparalajmëruar të organizuar përmes rrjeteve sociale, kanë filluar të gjuajnë me gurë dhe sende të tjera në drejtim të punonjësve të policisë dhe ndërtesës së Kuvendit. Ndaj tyre janë siguruar të gjitha provat dhe më pas janë dërguar para gjyqtarit për procedurë paraprake”, informoi MPB.

Policia po ashtu njoftoi se Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Shkup vazhdon të ndërmarrë masa dhe aktivitete për identifikimin e kryerësve të krimeve gjatë protestave dhe sigurimin e provave kundër tyre, pas së cilës bashkë me kallëzimet penale kundër tyre do të ndalohen dhe do të paraqiten para prokurorit publik kompetent dhe para një gjyqtari të procedurës paraprake.