Destabilizim i motit po parashihet përgjatë javës së dytë të muajit gusht. Pritet të ketë shtim të vransirave, ndërsa orëve të pasdites edhe zhvillime të rrebesheve me bubullima, që mund të jenë më të shtrira mbi vend, ditën e martë dhe mërkurë, por edhe të premten.
Të martën edhe mund të jenë më të ashpra dhe të marrin lokalisht edhe veçori stuhish me erë dhe breshër. Ditën e hënë do të ketë më shumë intervale me diell dhe mbetet ende nxehtë. Në aspektin termik, temperaturat pësojnë një rënie të lehtë edhe nën vlera normale.
Kushtet e motit me më shumë vransira dhe qarkullimi i mjaftueshëm ajror, do të ndihmojnë që ndotësit të jenë më të shpërndarë, e gjithashtu edhe të mbajnë koncentrimet e ozonit sipërfaqësor, më afër vlerave të pranueshme, megjithëse ditën e hënë indeksi pasdite do të kaloj në vlera mesatare dhe të dobëta.
Sa i përket indeksit të rrezeve ultravjollce, ditëve të para mbetet në nivel shumë të lartë dhe të lartë, vetëm në raste kur do të ketë më shumë intervale me diell, kryesisht orëve të mesditës, kur vlen rekomandimi që t’i ikim ekspozimit më të gjatë ndaj rrezeve të diellit.
8.08 – Nxehtë. Paradite kryesisht me diell. Pasdite vransira kalimtare, përreth viseve malore mundësi për rrebeshe të shkurta shiu.
9.08 – Jo aq nxehtë. Pasdite priten zhvillime të rrebesheve me bubullima, vende-vende edhe stuhi shiu e ere, lokalisht edhe mundësi për breshër.
10.08 – Kryesisht me vransira, orëve të pasdites vende-vende priten edhe zhvillime të rrebesheve me bubullima.
11.08 – Kryesisht me vransira, ditën edhe intervale me diell. Vende-vende mundësi për riga lokale shiu.
12.08 – Kryesisht me vransira, pasdite edhe me zhvillime të rrebesheve me bubullima.
Temperaturat gradualisht në rënie, minimalet luhaten ndërmjet 15C e 17C, e maksimalet nga 32C ditën e hënë, zbresin edhe deri në 25C e 26C ditën e mërkurë dhe të enjte. Erërat frynë kryesisht nga veriu e verilindja, të lehta dhe mesatare 4-12m/s. Shtypja atmosferike shënon një rritje të lehtë mbi normale dhe luhatet në këto vlera./Botapress.info/