Moti gjatë fundjavës

Pasditën e së martës Shkupi u godit nga një mot I lig që paralizoi qytetin dhe lëvizjen e qytetarëve. Ishin përmbytur shumë rrugë dhe objekte banimi, drunj të rrëzuar, vetura të dëmtuara…Shkupjanët ende po sanojnë dhe paraqesin dëmet dhe kërkojnë ndihmë nga kompetentët.

Por, çfarë ndodhi të martën pasdite?

Metereologu Slavço Popovski për Klan Maqedoni ka deklaruar se territori i vendit tonë gjendet nën ndikimin e një mase skajshmërisht jostabile ajrore, kurse përplasja e rrymave ajrore kushtëzoi motin e lig.

“Pardje në Shkup janë përplasur dy masa ajrore – më e ngrohta nga jugu dhe masa e ftohtë nga veriu që ka shkaktuar formimin e sistemit të stuhive që kaploi Shkupin me reshje të rrëmbyeshme shiu, erë të fuqishme, zbrazje të fuqishme elektrike dhe breshër dhe që shkaktoi përmbytje dhe dëme materiale”, deklaroi meterologu Sllavço Popovski.

Sinoptikët paralajmërojnë se mot jostabil me reshje të shiut, zbrazje elektrike dhe erë të fuqishme, vecanërisht gjatë pasditës dhe mbrëmjes, do të mbizotërojë deri të premten, kur pritet stabilizimi i pjesshëm I motit dhe rënia e temperaturave.

“Sipas analizave të fundit, mot më stabil pritet gjatë fundjavës, por edhe atëherë në ortët e pasditës do të ketë paraqitje të izoluara të motit jostabil. Temperatura më të ulëta do të kemi gjatë së Premtes, do të jetë pak më freskët ku temperaturat maksimale do të jenë nga 22 deri në 27 gradë Celsius”deklaroi meterologu Sllavço Popovski.

Ndërkohë, Drejtoria për Punë Hidrometereologjike ka theksuar se mot i lig sikurse të martën në Shkup, mund të ndodh një herë në dy deri pesë vjet. Ky pohim bazohet në matjet historike dhe hulumtimet statistikore të reshjeve intensive afatshkurtëra.