Mospërputhje mes tregut të punës dhe sistemit arsimor

Papunësia në vendin tonë është një ndër sfidat më të mëdha për vite me radhë. Por në anën tjetër, kemi mijëra vende të lira të punës. Në vendin tonë edhe pse kemi shumë kompani të vogla dhe të mesme, megjithatë të njëjtit kanë probleme me gjetjen e kuadrit adekuat profesional, kurse radhët e në entin për punësim të cilët kërkojnë punë shtohen dita-ditës. Në bazë të dhënave të fundit të publikuar nga Enti Shtetëror për Statistika (ESHS), rezulton se në vendin tonë kemi afër tetë mijë vende të lira të punës.

Pra sipas këtyre të dhënave, mund të konstatohet se ka një mospërputhje me tregun e punës. Sipas hulumtimit të fundit kjo problematik nuk është vetëm në vendin tonë. Hulumtimi i fundit i kryer nga UNICEF, ka rezultuar se rreth 39 për qind e të rinjve në mbarë botën mendojnë se punët të cilët ju kërkohen pas diplomimit nuk janë të disponueshëm për ata, ndërkohë afër 31 për qind mendojnë se aftësitë të cilat i marrin gjatë arsimimit nuk i plotësojnë kërkesat e punëdhënëseve dhe nuk përkojnë me tregun e punës. Hulumtimi ka përfshirë afër 40,000 të rinj nga 150 vende të ndryshme të botës ku qëllimi i kësaj analize ishte të shihet nëse sistemi arsimor ju ofron të rinjve aftësitë e nevojshme për tregun e punës.

Studentët thonë se universitetet nuk po i përgatisin ata të punojnë nën presion të kohës, për aftësi menaxheriale apo aftësi për të zgjidhur problemet. Sipas tyre, këto aftësi janë ata të cilat kërkohen në tregun e punës. Blendi Hodai, student në Fakultetin Filozofik, për gazetën KOHA, ka deklaruar se mospërputhja e programeve dhe lëndëve studimore me aftësitë jetësore në vendin tonë është një problem shumë vjeçar. “Në raporte të ndryshme është theksuar nevoja për reformimin e sistemit arsimor që të jetë në korrelacion me tregun e punës, por pa sukses nga dikasteret arsimore, sepse asnjëherë nuk janë marrë hapa për të ndryshuar sistemin. Kësisoj, neve si student na duhet që vetëm të përgatitemi për kërkesat reale të tregut të punës”, ka deklaruar ai.

Nga ana tjetër, nga ky vit shkollor Ministria e Arsimit dhe Shkencë (MASH), ka filluar me aplikimin e sistemi dual të arsimit. Ky sistem parasheh që në shkollat e mesme profesionale të ketë më shumë mësim praktik dhe shkollat të lidhin kontrata bashkëpunuese me kompanitë që veprojnë në vendin tonë për mësim praktik të nxënëseve që lidhet me drejtimin e tyre. Ky sistem është paraparë të zbutet papunësia në vendin tonë dhe që shkollarët e mesëm të marrin njohuritë e nevojshme dhe ata që kanë zgjidhur mësim profesional të përgatiten për tregun e punës menjëherë pas mbarimit të shkollimit të mesëm.

Ndryshe, sistemi i arsimit dual, i cili zbatohet gjerësisht ne Evropë, paraqet një mekanizëm efikas për uljen e papunësisë te të rinjtë, si dhe për sigurimin mjeshtërve të kualifikuar në biznesin e vogël dhe të mesëm, por edhe në ato më të mëdha. Ndërkohë në nivel global, rreth 10 milionë të rinj bëhen pjesë e tregut të punës çdo muaj, por ata presin më shumë se katër vjet pas diplomimit për punën e tyre të parë. (koha.mk)