Me qëllim që të grumbullohen borxhet e mëdha që kanë familjet, institucionet dhe firmat për shërbimet që marrin nga ndërmarrja komunale publike “Standardi”, e që kanë të bëjnë me furnizimin me ujë dhe mirëmbajtje të higjienës, drejtoria e ndërmarrjes për herë të parë në historinë e saj ka ngrit procedurë gjyqësore për pagesën e faturave të papaguara. Drejtoria e ndërmarrjes duke parë lartësinë e borxheve por edhe situatën e rëndë financiare të saj është përcaktuar për këtë mënyrë të pagesës të borxheve. Aktualisht borxhet arrijnë 1.6 milion euro, gjë që drejtpërdrejt ndikon në punën e ndërmarrjes komunale.
Edhe pse ndërmorëm të gjithë mënyrat për pagesë të borxheve ishim të detyruar që të shfrytëzojmë edhe institucionet gjyqësore për të paditur shfrytëzuesit të cilët faktikisht janë edhe raste ekstreme në aspekt të mos pagesës së borxheve. Bëhet fjalë për 50 lëndët e para gjyqësore, meqë ishim të detyruar për të inkasuar shërbimet tona. Është ky rasti i parë në historinë e ndërmarrjes që pagesat të bëhen nëpërmjet institucioneve gjyqësore. Këtë e deklaroi
drejtori i ndërmarrjes komunale “Standardi”, Burim Kaba i cili shtoi se bëhet fjalë për borxhe të mëdha.
“Presim që proceset të përfundojnë me përmbarues dhe definitivisht borxhlinjtë të shlyejnë faturat. Përveç kësaj mase që kemi ndërmarrë poashtu kemi patur kontakte me të gjithë borxhlinjtë të cilët kanë marrë edhe vërejtje me qëllim që të jenë korrekt ndaj ndërmarrjes e cila menaxhon me ujësjellësin Rosok-Dibër si dhe grumbullon mbeturinat të familjeve, institucioneve dhe firmave. Për këta aktivitete kemi marrë përkrahje edhe nga institucionet lokale. Poashtu kemi ndërmarr të gjithë aktivitetet që të vazhdojë rritja e parave të inkasuara. Nga muaji në muaj rritet përqindja e inkasimeve meqë një pjesë e madhe e dibranëve janë korrekt. Por pjesa tjetër e cila tenton të mos shlyej borxhet ndaj ndërmarrjes edhe pse pranon shërbimet duhet që të paguajë ato borxhe edhe me masa gjyqësore. Një problem i theksuar vite me radhë është edhe mos pagesa e faturave për ujë nga ana e banorëve të fshatit Kosovrast i Poshtëm. Është një fshat i cili shfrytëzon ujin për pije nga ujësjellësi Rosk-Dibër e që nuk paguan faturat. Tani do të ndërmarrim gjitha masat që banorët e këtij fshati të paguajnë ujin ashtu siç e paguajnë qytetarët në Dibër”, thotë Kaba.
Në ndërkohë me sukses është duke u realizuar projekti i komunës Dibër që ka të bëj me ndërrimin e valvulave të ajrit dhe të ujit në tubacionet e ujësjellësit Rosok-Dibër. “Është projekt i pushtetit vendor me të cilin në fazën e parë duhet të ndërrohen valvulat e vjetra me valvulat e ri edhe atë nga burimet në fshatin Rosok e deri tek rezervuari i qytetit. Me këtë projekt do të ndërrohen të gjithë 64 valvulat”, thotë drejtori i “Standardit”, Burim Kaba. Deri tani janë ndërruar 25 valvula të ajrit dhe ujit, kurse aktualisht vazhdojnë punimet rreth ndërrimit të valvulave edhe atë sot të 9 valvulave. Qyteti i Dibrës çdo ditë kur bëhet ndërrimi i valvulave ngelën pa ujë meqë vet procesi kërkon ndërprerje të furnizimit me ujë. Dibranët përshëndesin këtë projekt dhe thonë se ndërprerja e ujit në ditët kur bëhet ndryshimi i valvulave jep shpresë që në fund të realizimit të projektit Dibra defintivisht të ketë një furnizim stabil të ujit për pije. (koha.mk)