“Mosmirënjohëse, arrogante, e rritur në mjedise ku mungon edukimi”, Pacolli hidhërohet në Vjosa Osmanin

Kryetari i AKR’së, Behgjet Pacolli, është hidhëruar me presidenten Vjosa Osmani, ku e ka quajtur këtë të fundit dhe stafin e saj “arrogantë”. Kjo, pasi që njëri nga këshilltarët e presidentes,m,Rinor Nuhiu, i cili pretendoi se Pacolli është “biznesmen i ndikuar nga mjedisi rusofil”.

Pacolli është zotuar se do të bëjë nga një shkrim çdo ditë në ‘Facebook’ për të treguar se kush është ruso-fil dhe serbo-fil.

“Kam qenë disa herë në shënjestër të ofendimeve nga bashkëpunëtorët e Presidentes Osmani, edhe pse në shumicën e rasteve e kam ndihmuar. Unë besoj dhe kam thënë se skandalet e fundit të Presidentes janë rezultat i mungesës së njohurive dhe arrogancës së stafit të saj! Nëse ata vazhdojnë kështu, unë do të publikoj çdo ditë nga një shkrim, në mënyrë që publiku të kuptojë më mirë se kush është filo-rus dhe filo-serb, dhe kush është dinjitoz e kush nuk është, siç thonë ata. E unë kam shumë cka për të thëne”, ka deklaruar ai.

Pacolli në adresë të Osmanit ka hedhur fjalë të rënda, sikurse “arrogante” dhe “e rritur në një mjedis ku mungon edukimi”.

“Njerëzit mosmirënjohës dhe arrogantë shpesh janë rezultat i nivelit të ulët të edukatës. Individët që rriten dhe formohen në mjedise ku mungon edukimi për vlerat e respektit dhe mirënjohjes ndaj të tjerëve, shpesh vijnë nga ambiente ku këto cilësi janë promovuar pak ose aspak”, ka deklaruar ndër të tjera Pacolli.

Reagimi i tij vjen pasi njëri nga këshilltarët e Osmanit, Rinor Nuhiu, deklaroi se Pacolli është “biznesmen i ndikuar nga mjedisi rusofil”.

“Interpretimet e tij për privilegjet dhe imunitetet janë tipike të një biznesmeni të ndikuar nga mjedisi rusofil. Prandaj, edhe injoron Konventat ndërkombëtare që rregullojnë udhëtimin e krerëve të shtetit e të cilat janë respektuar në çdo shtet tjetër ku ka udhëtuar Presidentja Osmani deri më tani”.

Reagimi i tij erdhi pasi Pacolli në të njëjtën ditë tha se nuk ekziston imunitet që mundëson evitimin e kontrolleve nëpër aeroporte.

“Nuk ekziston imunitet që mund të arsyetojë shmangien e kontrollit të çdo udhëtari që fluturon me një aeroplan, veçanërisht me aeroplan publik ku është në pyetje siguria e pasagjerëve të tjerë dhe qe nuk jane kryer procedurat paraprake te sigurisë” dhe se “është naive të thosh se telefoni mund të klonohet telefoni ndërsa kalon në makinerinë X-ray”, deklaroi ai.