Mosmarrëveshjet për tenderin lënë nxënësit në shtëpi! 50 gjimnazistë në Kërçovë nuk kanë transport

Mbi 50 gjimnazistë të Pllasnicës, Drugovës, Çellopekut dhe të tjerë që ndjekin mësimin në gjimnazin “Mirko Mileski” në Kërçovës po vazhdojnë të mësojnë online. Për shkak të problemeve me tenderin për transportit të nxënësve ata nuk po mund t’u bashkohen nxënësve të tjerë në bankat e shkollës. TV21 qëndroi në fshatin Pllasnicë për të takuar prindërit që ishin të revoltuar nga kjo situatë, e cila siç, mund të zgjasë deri më 15 shkurt.

“Nuk kanë transport, dhe transportin kush duhet ta paguaj, unë duhet ta paguaj ose shteti. Online mësojnë ose unë paguaj taksi që vajza të më shkojë në shkollë, është turp kjo që ndodhë në këtë shtet. Me 10 mijë ku mund të qëndroj unë. Unë dua që fëmija im të shkojë në shkollë si më parë”.

Thotë se për këtë çështje janë njoftuar një ditë para se të fillonte gjysmëvjetori i dytë.

“Kjo me të vërtet është katastrofë, fëmija në shtëpi të rrijë të më bëhet i paditur, ndërsa unë mundohem më një rrogë sociale ta dërgojë në shkollë, kjo është katastrofë, me të vërtet katastrofë”.

Nga Komuna e Kërçovës thonë se problemi është krijuar si rrjedhojë e çmimit të lartë të ofruar nga kompanitë, andaj tenderi është përsëritur sërish, por herën e dytë kompania nuk ka dërguar dokumentacionin e duhur. Tash tenderi është shpallur për herë të tretë dhe pritet që brenda javës çështja të zgjidhet.

“Shpallja pjesërisht është publikuar për së treti herë për dy linja dhe pritet që të përfundojë javën që vjen. Për të mos humbur nga orët e mësimit, pjesën e nxënësve që shfrytëzojnë transport nga Komuna e Pllasnicës i kemi angazhuar që mësimin ta ndjekin përmes platformës elektronike”, thonë nga Komuna e Kërçovës, sektori për Arsim.

Një pikëpyetje që ngritet nga krejt kjo çështje është se si nxënësit e ndjekin mësimin online kur mësimdhënësit e tyre po japin mësim me prezencë fizike. Prindërit treguan për TV21 se fëmijëve të tyre pyetjet u dërgohen nëpërmjet Viberit dhe po mundohen që në këtë formë të mbajnë mësim derisa të zgjidhet problem.