“Mos u jepni para fëmijëve lypës, ato përfundojnë te shefat e tyre”

Pothuajse 19 mijë fëmijë nuk shkojnë në shkollë, 1500 janë fantom ose nuk janë të regjistruar në sistemin shtetëror. Më shumë se 5000 çdo ditë lypin nëpër rrugë, ndërsa 50 fëmijë janë regjistruar si të varur nga droga, shkruan Alsat.

Këto të dhëna u publikuan nga organizata joqeveritare “Ndërtojmë të ardhmen” ku thonë se asnjë qeveri deri më tani nuk ka gjetur zgjidhjen e duhur për abuzimin me punën e fëmijëve. Aktivistët civilë thonë se nëse fëmijëve lypsarë u jepet një qindarkë, nuk u bën dobi, sepse më së shpeshti ato para përfundojnë tek shefat e tyre dhe jo për ushqim.

“Mos u jepni atyre ndihmë financiare. Shteti është i detyruar ta zgjidhë këtë problem. Pasi të ndalohet dhënia, do të zgjidhet çështja me atë kategori me hapa më të shpejtë, dhe ata do të largohen nga vendet e njohura ku lypin”, tha Ilija Jovanoviq “Ndërtojmë të ardhmen”.

Ish-boksieri Veli Mumin, një mbështetës i nismës, thotë se fëmijët duhet të largohen njëherë e përgjithmonë nga rruga. Abuzimi i tyre është në shumë fusha. Ai u bëri thirrje institucioneve, që ta marrin seriozisht punën, sepse gjendja është alarmante.

“Ata fëmijët nesër do të jenë problem i kësaj shoqërie, do të fillojnë të vjedhin, të bëjnë telashe. Duhet t’i heqim nga rruga, t’i edukojmë”, u shpreh Veli Mumin – ish boksier.

Autoritetet thonë se Maqedonia ka strategji nacionale për zgjidhjen e këtij problemi, ndërsa ekipe speciale kanë punuar për mbrojtjen e fëmijëve dhe përfshirjen në sistem. Por, realiteti është krejtësisht ndryshe, është një gjë e rrallë të kalosh pranë semaforit dhe aty të mos ketë fëmijë lypës./alsat/