Pasi nuk u përzgjodh si drejtoreshë gruaja me mbulesë dhe rekordere botërore, Jashari e quan hakmarrje të pushtetit në Skënderaj
Arbnora Fejza Idrizi është shpallur 3 herë rekordere botërore në gennis.
Ajo ishte emëruar u.d drejtore e çerdhes “Nëna Zahide” në Skënderaj, e cila para menaxhimit të Arbnorës ishte në gjendje të mjerueshme, përcjell Jepi zë.
Mirëpo tani ajo është eleminuar nga gara për udhëheqëse të çerdhes.
Ndaj kësaj ka reaguar ish kryetari i Skënderajt, Bekim Jashari.
Ai e ka quajtur nepotizëm të qeverisjes aktuale faktin që Arbnorës i është mohuar e drejta për të vazhduar kontributin e saj në edukimin e fëmijëve.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Me keqardhje më duhet të flas për keqeverisjen dhe hakmarrjen e këtij pushteti në Skenderaj ndaj qytetarëve, në veçanti individëve që na kanë bërë krenar të gjithëve, siç është znj. Arbnora Fejza Idrizi, e cila është shpallur 3 herë rekordere botërore në gennis.
Pas linqimit publik dhe fyerjes që i kishte bërë kohë me parë, duke e quajtur njeri të rrugës, z. Nura tani ka vendosur që të eliminoj nga gara për udhëheqëse të çerdhes “Nëna Zahide”, çerdhe kjo të cilën ky pushtet e kishte lënë në gjendje të mjerueshme dhe për më tepër ua kishte marrë edhe oborrin për t’ia dhënë individëve të afërt me ta.
Në vitin 2021, duke parë nevojën imediate për ndryshime në çerdhen e qytetit, bazuar në ngritjen profesionale, plotësimin e kritereve, sukseset botërore të saj dhe vullnetin e madh për të kontribuar për vendin, znj. Arbnora e pata emëruar u.d drejtore të kësaj çerdhe, të cilën e kishte ndryshuar menjëherë për të mirë dhe kishte menaxhuar shkëlqyeshëm me ta.
Tani pas ndërrimit të pushtetit në Skenderaj, pas hapjes së konkursit, komuna anulon konkursin pasi që nuk kishte aplikuar personi që ata dëshironin ta pranonin si drejtore, kurse në konkursin e dytë, eliminojnë znj. Arbnora nga gara duke rekrutuar dikënd tjetër.
Kjo ishte e pritur, ky është turp për qeverisjen aktuale që një personalitet si Arbnora që ka ngritur imazhin e vendit tonë, që ka ndryshuar për të mirë çerdhen “Nëna Zahide”, të eleminojnë nga mundësia për të vazhduar kontributin e saj në edukimin e drejtë të femijëve tonë.
Ky është një shembull i keq i hakmarrjes politike, nepotizmit dhe keqqeverisjes së pushtetit aktual, të vjedhur e të manipuluar skajshmërisht.
Arbnora nuk ka humbur asgjë nga kjo hakmarrje, humbës janë femijët tonë, çerdhja për të cilën dha aq shumë kontribut.
Ky nuk është rasti i vetëm i nepotizmit të kësaj qeverisje, në fakt njejtë janë duke vepruar në shumë shkolla, brenda komunës dhe çdokund ku ata kanë mundësi, sepse kjo është logjika dhe qëllimi i tyre i vetëm.