“Mos e rrit vajzën dhelpër. Rrite luaneshë.”

Nga Endrina Shutrak
Edukoje vajzën tënde pa nënshtrim. Edukoje të jetë e pavarur dhe modeste.
Edukoje të jetë e lumtur. Mësoja të lexuarit ende pa e dërguar në shkollë.
Mësoja higjienën dhe pastërtinë, mësoje të mbajë veten qysh e vogël, ta krijojë stilin e saj fëmijëror. Nesër të mos ndryshojë stil për askënd.
Mësoje te duket mirë, të veshë rroba të pastra dhe të hekurosura, të rregullojë flokët në gërsheta, të prejë thonjët, të parfumoset, t’i vendos lodrat e saj në vendet e tyre pasi të luajë me to, të largojë pjatën pasi të ketë mbaruar ushqimin.

Mësoja fjalët “të lutem”, “faleminderit”, dhe “më fal”.
Mësoje të bindet me fjalët “po” dhe “jo”.
Mësoja dashurinë për librat, përrallat dhe poezitë.
Mësoja punën në grup, që të ketë sa më shumë shokë dhe shoqe.
Nesër kur të rritet mësoja gatimin. Mësoje të gatuajë për vetveten e saj, dhe jo për një derë të huaj. Mos e bëj vajzën të ndihet se ti e ke lindur vetëm për atë derë.

Tregoji se në jetë ka njerëz të mirë që të duan pa interes, dhe mos e mëso vetëm të dojë të tjerët për hatër.
Tregoji se nuk ka nevojë një çfarëdo burri vetëm se do t’ia financojë mirë të ardhmen. Tregoji se jeta duhet të shkojë me sinqeritet dhe dashuri. Tregoji se një bashkëshort i mirë është i mirë edhe nëse nuk është i pasur.
Tregoja pavarësinë. Pavarësoje. Rrite me vizione të larta femërore. Të rritet si femër krenare. Të mos pret asgjë nga askush. Të ruajë krenarinë e saj dhe të jetojë me kokën lart.

Të mos ndryshojë për askënd. Ata që dëshirojnë ta duan, le ta duan për atë që është. Tregoji se mund të mos qeshë kur nuk i qeshet. Tregoji se duhet të jetë e drejtpërdrejtë. Mos e rrit vajzën dhelpër. Rrite luaneshë.
Kur të vijë dita të të dalë nga shtëpia mos i thuaj “Mos na turpëro”, por thuaji “Qofsh e lumtur”. Ajo nuk duhet të jetojë për fytyrën tënde, mësoje të jetojë për fytyrën e saj.

Kur t’i kesh përmbushur këto, vetëm atëherë do të jesh e lumtur si nënë.
Duhet të lumturohesh kur sheh vajzën tënde teksa ajo e krijon jetën e saj në lumturi. Teksa sheh vajzën tënde të rrethuar me njerëz që e duan për origjinalitetin e saj, dhe jo për atë vajzë të cilën e ke mësuar për vite të tëra të jetë fallco vetëm që të hyjë në zemrat e të tjerëve. Lumturohu kur sheh vajzën tënde duke qeshur atëherë kur i qesh edhe shpirti.
Jeta nuk është interes. Jeta është e bukur vetëm kur njeriu e kupton se shëndeti dhe dashuria është mbi të gjitha