Mos e bëni kurrë këtë veprim me fëmijën tuaj!

Mos i shkundni fëmijët duke i ngritur poshtë – lartë !

Cilat nga lëvizjet e pakujdesshme që bëhen me të porsalindurin, mund të kushtojnë me jetë ?

Të gjithë prindërit e dijnë se fëmija nuk duhet të goditet në asnjë mënyrë, por ata nuk e kuptojnë se të shkundurit është gjithashtu shumë i dëmshëm dhe shpeshherë i rrezikshëm edhe për vetë jetën e foshnjës.

Shkundja e fëmijëve ose të porsalindurve, paraqet një rrezik të madh dhe në disa raste mund të qojë në pasoja fatale për të porsalindurin.

Tek fëmija i porsalindur, kockat e kokës janë shumë të buta.Të shkundurit e foshnjës, bën që truri të lëvizë brenda kafkës lehtësisht dhe të ndrydhet nga të goditurit në ashtin e kafkës. Sa më e fortë të jetë shkundja, aq më të mëdha mund të jenë pasojat. Poashtu, sa më e vogël të jetë mosha e fëmijëve, rreziku është aq më i madh.

Tek të porsalindurit, rreziku është shumë i shprehur për arsye se ende nuk u është zhvilluar muskulatura e qafës.
Shkundja shkakton të enjeturit, gjakderdhjen e mundshme dhe presionin në tru. Enët e gjakut dëmtohen, mund edhe të pëlcasin, nervat dëmtohen dhe retina e syrit mund të shkëputet, ose nervat optike të gërvishten, gjë që mund të sjellë verbërinë e plotë. Gjendja klinike është alarmante dhe përfundimi mund të jetë fatal.

Nëse flasim në mënyrë të përmbledhur, të shkundurit e foshnjës së porsalindur mund të shkaktojë dëmtimet e mëposhtme :

• Konvulsioni (spazma) vështirë të kontrolluara (të përcjellura me hemoragji intrakraniale ) ;

• Paraliza dhe lëndimi i syrit që mund të vie deri tek verbimi ;

• Lëndimi i trurit me pasoja aktuale si dhe me komplikime që mund të qojnë deri në gjendje kome, e rrallë edhe deri në vdekje të të porsalindurit ;

• Zhvillim i vonuar dhe ngecje psikomotore në të ardhmen.

Cila është arsyeja që vie deri tek shkundja e foshnjës ?

• Në shumicën e rasteve, shkundja e foshnjës ndodhë nga pakujdesia e njërit prind, ose më shpesh nga pakujdesia e kujdestarit në përpjekje për t’ia ndalur
të qarët foshnjës.

• Në raste më të rralla, shkundja bëhet e qëllimshme për të pushuar të qarët e foshnjës (kam qenë dëshmitar i një rasti të tillë me përfundim fatal).

• Në raste më të rralla, shkundja bëhet edhe nga motrat ose vëllezërit tjerë. Në këto raste, përpos shkundjes kemi edhe trauma të tjera tek foshnjet ( pamje të tmerrshme të cilat ende i kam parasysh ). Në punën time në kujdesin intensiv, kam trajtuar një rast të tillë të një vajze 3 vjeçare ndaj së cilës, procesin e shkundjes e kishin realizuar fëmijët tjerë.

• Arsye tjera, mund të jenë edhe hudhja e fëmijëve në ajër, të ngriturit poshtë-lartë ose të luhaturit në rreth, që prindërit ua bëjnë foshnjeve në formë loje, pra shkundja bëhet në mënyrë të pa qëllimshme. Baballarët janë ata që më së shpeshti tentojnë ti qetësojnë fëmijët e tyre, duke i hudhur lartë, duke rrezikuar në mënyrë direkte jetën e tyre.

• Rastet me të rralla ndodhin nga aksidentet apo lojërat e vrazhda që zhvillohen me foshnjën, me qëllim që të qetësojnë të qarët e foshnjës.

• Lëndimet nga të shkundurit mund të jenë edhe rezultat i vrapimit të pakujdesshëm me të porsalindurin në duar, apo kërcimit poshtë e lartë me foshnjën.

A mund ta parandalojmë sindromin e foshnjës së shkundur ?
• Mos bëni asnjë veprim të pakontrolluar me foshnjen tuaj para se të keni siguruar mirë kokën e foshnjës .

• Mos lejoni asnjëherë vetmimin e foshnjes suaj me fëmijë tjerë të vegjël .

• Bëhuni të vetëdijshëm për aktivitetet fizike që mund të shkaktojnë lëndime.

• Kur e përqafoni, e ngritni apo e lëshoni foshnjën tuaj gjatë procesit të gjidhënjes, gjithmonë mbajeni me dorë nga pas kokën e saj.

• Nganjëherë fëmijët qajnë pa ndonjë arsye ose kur janë shumë të lodhur, kurrë mos provoni të ndalni të qarët e tyre duke i shkundur nga poshtë-lartë. Kjo aspak nuk është mënyra e duhur e qetësimit të foshnjes .
Përpiquni të ndalni zemërimin tuaj dhe kurrë mos e përdorni shkundjen për qetësimin e foshnjes e cila qanë pa rreshtur.

• Nëse e keni shkundur fëmijën tuaj, apo nëse mendoni se dikush nga anëtarët tjerë ose kujdestarja e ka bërë një gjë të tillë, menjëherë kërkoni ndihmë profesionale mjekësore.Çdo vonim mund të kushtoj me jetë .

• Fëmijët tanë janë dhuratë nga Zoti të cilët duhet trajtuar me dashuri, mëshirë dhe butësi!
Fëmijët janë qënje të brishta dhe të pambrojtura. Kurrë mos
shfrytëzoni shkundjen ndaj tyre qoftë për tu shprehur dashuri, per ndonjë lojë me ta apo për ndonjë denim ndaj tyre.

Dr.Ismail Lutolli
Specialist Pediater
Subspecialist Dijetolog-Nutricionist
Hematolog Onkolog
Subspecialist Gastroenterolog