Studentët dhe aktivistët të cilët vullnetarisht grumbullojnë ndihma në Sheshin e Qytetit në Shkup, si veshmbathje, këpucë, batanije dhe gjëra të tjera të nevojshme për njerëzit nga zonat e goditura nga tërmeti në Turqi dhe Siri, bëjnë thirrje që të mos dhurohen gjëra të vjetra dhe të dëmtuara. Ata paralajmëlruan se prej sot do të pranojnë donacione vetëm produkte të reja në formë të paketuar.
“Dhurohen fustane për mbrëmje, veshje dhe këpucë që duhet të hidhen, pantofla për plazh dhe gjëra të ngjashme, të cilat edhe neve si studentë na vënë në situatë jo të këndshme. Më pas ne duhet të ndajmë gjërat që do të hidhen dhe ato që duhet t’ua dërgojmë njerëzve në zonat që u prekën nga tërmeti. Edhe ata janë njerëz, sado që të jenë në gjendje të vështirë, nuk është njerëzore tu dhurojmë gjëra që duam t’i heqim qafe dhe t’i hedhim”, thotë Egemen Ejup Juksel, një nga aktivistët.
Ai theksoi se për momentin kanë nevojë për sasi të madhe kutish dhe ngjitës të gjerë për të paketuar të gjitha donacionet që vijnë, siç thotë ai, nga njerëz me qëllime të mira, por edhe për të hequr qafe sendet që njerëzit kanë dhënë, siç tha ai, thjesht për tu liruan nga ata artikuj.
Aktivistët informojnë se është grumbulluar sasi e madhe e ndihmave, por sipas tyre, ajo ndihmë nuk do të arrinte te njerëzit të cilët kanë nevojë për të njëjtën pa ndihmën e disa kompanive.
“Ne u përballëm me një situatë ku nuk kishim se si t’ua dërgonim atë ndihmë njerëzve atje, por falë kompanive Limak dhe Beroviç dhe stafit të tyre që erdhën me kamionë dhe na ndihmuan shumë për të mbledhur dhe paketuar të gjitha donacionet, dhe i çojnë pakot në zonat e prekura nga tërmeti. Një biznesmen që donte të mbetej anonim gjithashtu telefonoi sot dhe tha se do të dërgonte një kontejner të tërë për transportin e donacioneve”, tha Egemen.
Ai gjithashtu informoi se deri më tani gjashtë maune janë nisur drejt zonave të prekura nga tërmeti, ndërsa sonte priten të mbërrijnë edhe katër maune që t’i grumbullojnë edhe gjërat e tjera nga donacionet.