“Monstra”, Xhelal Bajrami: Jankulloska e mori rolin e prokurorit, foli për gjëra që s’jemi marrë vesh

Prokurori Xhelal Bajrami, i cili gjatë kohës së vrasjes së pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës më 12 prill të vitit 2012-të ka qenë zv/ministër i Punëve të Brendshme, në dëshminë e tij të sotme e akuzoi ish ministren e MPB-së, Gordana Jankulloska e ka marrë rolin e prokurorit dhe se më 1 maj të vitit 2012-të, 18 ditë pas vrasjes, në konferencë për shtyp i akuzoi dhe dënoi të arrestuarit, me çka ka shkaktuar situatë të tensionuar në MPB, njofton Portalb.mk.

Ai tha se Jankulloska në konferencë për shtyp ka folur për gjëra që nuk janë marrë vesh paraprakisht.

“U morëm vesh që të flitet në lidhje me atë se policia ka pasur aksion dhe është bastisur në disa lokacione brenda dhe jashtë Shkupit dhe se ka indicie se personat që janë arrestuar janë kryerës të mundshëm, por jashtë gjithë kësaj që ishte koncept, Jankulloska i akuzoi dhe dënoi të arrestuarit. Pastaj vijoi situatë e tensionuar. I thash ministres se ne nuk jemi organ i cili konstaton se kush është kryerësi i asaj veprës penale, për atë është gjykata”, tha Bajrami.

“Funksioni zv/ministër a nënkupton edhe obligim që ta informoni liderin e partisë suaj për provat dhe detajet e hetimeve? Në transkriptet që i kemi këtu, ju e keni informuar liderin e BDI-së, Ali Ahmeti?”, e pyeti prokurorja Fatime Fetani, sipas asaj që u dëgjua në biseda.

“Gjithsesi nuk kam pasur obligim të tillë. Me liderin Ahmeti kemi pasur vetëm bisedime joformale për hetimin”, u përgjigj dëshmitari Bajrami.

“Në cilën cilësi e keni marrë informatën se i akuzuari Haki Aziri, i cili ishte nën masa të mbrojtura si dëshmi, u është lajmëruar prindërve që t’u tregojë se është mirë”, pyeti Fetai.

Bajrami ndaj asaj nuk u përgjigj konkretisht.

Bajrami më tej ka theksuar se ai ka folur me të gjithë aktorët politik në vend për vrasjen e pesëfishtë, përfshirë edhe me institucionet prokuroriale dhe gjyqësore.

Më 1 maj të vitit 20120-të, në një aksion policor u arrestuan më shumë se 20 persona të dyshuar për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë ku në mesin e tyre kishte edhe gra. Ekipi i ministres së atëhershme të Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, bashkë me zëvendësin e saj, Xhelal Bajrami, ish shefin e Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov dhe eprorë tjerë të Policisë, në një konferencë për shtyp deklaroi se të arrestuarit ishin radikalë islamistë të cilët kishin marrë pjesë në vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë me qëllim që të shkaktojnë pasiguri dhe frikë te qytetarët e Maqedonisë.

1 maj 2012: MPB: Vrasësit e Smillkovcës, terroristë fetar
Jankulloska shkeli prezumimin e pafajësisë duke e vendosur veten në vend të Gjykatës dhe pa verdiktin e gjykatës, ajo tha se personat e njëjtë janë të rrezikshëm për religjionin e krishterë.

“Këto janë grupe radikale islame, janë persona të rrezikshëm dhe për to do të ngrihen padi penale për terrorizëm. Këto persona kanë qenë në Pakistan dhe Afganistan dhe praktikisht kanë bë luftë me trupat ndërkombëtar të paqes. Personat e tillë tentojnë ti bëjnë keq krishterëve por janë të rrezikshëm edhe për myslimanët ” tha Jankullovska.

MPB tha se motivi i vrasjes është udhëzimet nga islami radikal.

“Monstra”
Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit 2017 solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegjësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovë”.

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu. Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë në Maqedoni nuk mbajnë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim.