“Monstra”, dëshmojnë dëshmitarët e mbrojtjes, Stavrev: Bëhuni gati për fjalët përfundimtare

Nazif Bushi, dëshmitar i propozuar nga pala mbrojtëse në seancën gjyqësore për “Monstrën” tha se e njeh Sami Lutën, njëri nga të akuzuarit për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës. Dëshmitari Bushi tha se me Sami Lutën jetojnë në një lagje të njëjtë, gjegjësisht Luta jeton afër kushërive të tij të parë. Bushi thotë se Luta ka qenë në dasmën e kushëririt dhe se nuk ka pasur flokë të gjata ashtu siç e ka përshkruar dëshmitari i koduar në dëshminë e tij në gjykimin e parë për “Monstrën”.

“Sami Luta jeton në afërsi të Senad Bushit, kushëriri im i parë. Luta ka qenë i thirrur në dasmën e kushëririt tim dhe gjithashtu ishte i pranishëm në dasëm. Atë kohë Sami Luta ka pasur flokë të shkurta, ja përafërsisht si i ka tani”, tha Nazif Bushi – dëshmitar.

Dëshmitari i dytë Sheval Aliti tha se ditën e vrasjes ka qenë në Liqenin e Smillkovës me një vajzë dhe 10 minuta pasi ka arritur tek liqeni ju është afruar njësiti “Alfa” dhe ju ka kërkuar të mos lëvizin për disa orë nga aty sepse siç thotë ai, Alfat e kanë informuar se ka ndodhur vrasje.

“Dhjetë minuta pasi arrita në Liqenin e Smillkovës, erdhi një veturë me dy Alfa. Më kujtohet ishte terr, për kohën e saktë nuk më kujtohet. Alfat na legjitimuan. Derisa isha atje nuk dëgjova asgjë, as gjuatje dhe as ndonjë gjë tjetër. Alfat na i morën letërnjoftimet dhe na thanë të qëndrojmë në veturë, deri në orën 23:30”, theksoi Sheval Alili – dëshmitar.

Për dëshmitarin e dytë të mbrojtjes, Sheval Aliti, prokurorja Fatime Fetai, tha se i njëjti ka dhënë deklaratë edhe në PPS, por ajo vetë nuk e ka propozuar si dëshmitar sepse nuk ka thënë asgjë thelbësore që do të ndihmonte në zbardhjen e rastit. Gjyqi për rastin “Monstra” vazhdon më 25 shtator, për kur është parashikuar të dëshmojnë tre dëshmitarë të propozuar nga mbrojtja, njëri prej të cilëve është oficer policie nga njësiti Alfa. Gjyqtari Ognen Stavrev para përfundimit të seancës ju bëri me dije palëve se për dy seanca duhet të përfundojë procedura dëgjimore dëshmuese dhe i paralajmëroi që të bëhen gati për fjalët përfundimtare.