Tre peshkatarët të cilët me shumë gjasa i kanë parë kryerësit e vrasjes së pesëfishtë tek liqeni i Smillkovës, sot dëshmuan në seancën gjyqësore. Me kujtesë pak të zbehur treguan çfarë kanë parë te liqeni i Smillkovës, natën e 12 prillit të vitit 2012. I pari dhe më i moshuari, Ahmet Bekiri, tha se në orët e vona të pasdites i kanë parë katër djemtë në afërsi të vendit ku kanë qenë duke peshkuar, u kanë kërkuar krimba dhe janë larguar me automobil. Por kur është errësuar, dhe janë nisur për tu larguar, kanë vërejtur katër trupa të pajetë. Por dëshmitarin, Ahmeti, e kaploi tremba dhe nervoza dhe pas disa pyetjeve të prokurores Fatime Fetai, u alivanos. Me Ndihmën e shpejtë u dërgua në klinikë ndërsa dhënia e dëshmisë do të mbarojë nga fundi i muajit. Sipas mbrojtjes, bëhet fjalë për dëshmitarë kyç të cilët do të ndihmojnë shumë në zbardhjen e rastit.
“Ata janë dëshmitarët e vetëm për këtë rast monstruoz. Ata nuk e kanë parë aktin e vrasjes monstruoze. Ata i kanë parë kryerësit e veprës. Nga dëshmitë e tyre mund të përfundohet se të akuzuarit aktual nuk janë kryerës të veprës”, tha Naser Raufi, avokat.
Kenan Nesin përmendi një veturë me ngjyrë të errët që e kanë parë kur janë nisur për në shtëpi, dhe në vendin e shoferit ka pasur një njeri. Por së shpejti në rrugë ka dalë edhe një person me armë automatike në dorë. “Ndaluni policia”, u ka thënë. Siç ka vërejtur Kemali, ai ka pasur uniformë, por fytyrën nuk ia ka mbajtur mend. Ai u është kërcënuar që të largohen ose përndryshe do t′i vras, me ç ′rast të gjithë janë kthyer në vendin ku kanë peshkuar. Por gjatë kthimit kanë dëgjuar shumë të shtëna. Pas pothuajse dy orësh kanë mbledhur guxim që të largohen. Edhe ai tha se i kanë parë trupat e pajetë të katër djemve. Edhe shoku i tij, Bajram Memedov e rrëfeu të njëjtën. Edhe pse shumë mirë i kujtohej pushka automatike dhe gjuha e paqartë maqedonase në të cilën u është drejtuar personi i cili u është kërcënuar, ai nuk mund të kujtohet në fytyrën e tij. Ditën e ardhshme në stacionin policorë i kanë treguar album me fotografi por u ka thënë inspektorëve se nuk mundet të njohë askënd. Pikërisht për këtë mbrojtja pohon se MPB-ja e atëhershme është e përfshirë në këtë rast.
“Sot doli se MPB-ja, që sipas meje, është njëri nga konstruktorët e këtij rasti, të nesërmen pas ngjarjes, këtyre dëshmitarëve u ka treguar fotografi me persona të dyshuar. Sipas meje, këta janë persona të cilat janë treguar nga dëshmitarët dhe më vonë janë arrestuar. Kjo doli nga dëshmia e njërit prej dëshmitarëve. Ka pasur edhe një foto album dhe të nesërmen u janë treguar fotografi nga persona për të cilët paraprakisht kishte plan që të arrestohen dhe të akuzohen për këtë rast monstruoz”, u shpreh Naser Raufi avokat.
Peshkatarët pasi që arritën në shtëpi, nga televizioni kanë kuptuar se çfarë ka ndodhur në hyrjen e Liqenit të Smillkovës. Ata ishin tepër të frikësuar që të paraqesin rastin në polici dhe të nesërmen njësitë Alfa kanë ardhur në shtëpitë e tyre. Megjithatë, askush prej tyre nuk mundej të thoshte se ndonjëri nga të akuzuarit në sallën e gjykatës është njëri prej kryerësve të veprës, gjithashtu thanë se nuk mund të njohin askënd në fotografi për shkak se ka qenë errësirë ,ndërsa fytyrën e njeriut i cili u është kërcënuar, nuk e kanë mbajtur mend.