Gjykimi i rastit “Monstra” duhet të përfundojë deri në shtator. Gjykata, prokuroria dhe të akuzuarit vendosën të ketë nëntë seanca të reja në të cilat do duhet të dëgjohen dëshmitë e dëshmitarëve të mbetur për vrasjen në liqenin e Smillkovës para tetë viteve. Prokuroria me dëshmitarët e saj të propozuar përfundon të premten. Janë ftuar dy inspektorë të SPB-Shkup që kanë marrë shënime zyrtare për makinën e kuqe Opel Omega, me të cilin sipas policisë janë arratisur vrasësit.
“Person i panjohur më 12.04.2012, mes orës 20 e 50 minuta dhe 21 e 5 minuta e ka parë veturën Opel Omega. Personat zyrtarë kanë marrë shënime, por nuk ka informacion se cilët persona e kanë bërë e as se kush është personi që e ka parë automobilin. Ekziston edhe një shënim tjetër i ditës së nesërme nga dy inspektorë, prandaj i propozova si dëshmitarë pasi ata e kanë gjetur dhe e kanë marrë veturën”- deklaroi Fatime Fetai- prokurore.
Sipas Prokurorisë, inspektorët duhet të sqarojnë se si mundet 1 orë pas vrasjes së pesë personave, shërbimet të bëjnë shënim se e dinë me çfarë veture të akuzuarit janë arratisur. Dëshmitarë do të propozojnë edhe të akuzuarit kurse listën pranë gjykatës duhet ta dorëzojnë deri të premten. Në këtë lëndë, tashmë dëshmuan politikanë aktual si Zoran Zaevi, Ali Ahmeti, por edhe ish zyrtarë si Sasho Mijallkov dhe Gordana Jankullovska. Për vrasjen brutale në liqenin e Smilkovcës, akuzohen gjashtë persona. Në arrati janë Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët gjenden në Kosovë. Në këtë ditë para 6 viteve, të gjithë të akuzuarit u dënuan me burg të përjetshëm. Pas tre vitesh, Supremja e shfuqizoi aktgjykimin dhe rasti gjykohet prej në fillim, me përfaqësim të PSP-së./Alsat