Festivali ‘Eurovision 2022’ përmbylli një tjetër edicion të suksesshëm me fitues shtetin e Ukrainës. Kënga “Stefania” e interpretuar nga grupi Kalush Orchestra mori masivisht pikë nga votimi i publikut, duke bërë që të përmbyset rezultati i jurisë profesionale dhe ata të shpallen fitues.
Sigurisht që një mbrëmje e madhe si ajo e finales dhe e përgatitur prej muajsh nuk mund të kalonte pa ndonjë defekt të vogël teknik. Gjatë ritransmetimit të shkurtër të 25 këngëve finaliste, fansat vërejtën kur regjia gabimisht transmetoi pamje e delegacionit të Gjermanisë, në momentin kur po jepej kënga e Ukrainës.
Regjia e Eurovisionit transmetoi delegacionin gjerman në vend të atij ukrainas në finale (Foto: Eurovision/YouTube)
Ky gabim teknik mendohet se ndodhi për shkak se kënga e Ukrainës ishte në renditje para asaj të Gjermanisë, me ç’rast regjia ka shfaqur më herët se sa duhet pamje e delegacionit të Gjermanisë. Sido që të jetë, mbrëmja ishte shumë me fat për njërin shtet i cili doli fitues – Ukrainën dhe një natë aspak fatsjellëse për tjetrin, Gjermaninë, i cili në renditje doli i fundit.