Sot shënohet përvjetori i 23 i masakrës së Srebrenicës, ku më 11 korrik 1995, vetëm brenda një nate janë vrarë më shumë se 8.000 civilë boshnjak.
Gazeta Online Insajderi përkujton edhe një ngjarje në lidhje me këtë përvjetor që ndodhi para tri vjetëve pikërisht më 11 korrik 2015 kur ishte shënuar 20 vjetori i masakrës së Srebrenicës. Kjo ceremoni, në të cilën ka marrë pjesë një numër i madh i delegacioneve të huaja, është mbajtur në Qendrën Memoriale në Potoçar.
Në mesin e mysafirëve kanë qenë edhe ish presidenti Bill Klinton, Laura Boldrini, kryetare e atëhershme e parlamentit italian, Theodor Meron, presidenti i atëhershëm i Tribunalit të Hagës, si dhe Aleksandar Vuçiq, atëbotë kryeministër i Serbisë.
Me të parë Vuçiqin, masa e mbledhur filloi ta gjuante me gurë, i cili falë përcjelljes së tij dhe policisë boshnjake e shpëtoi kokën duke vrapuar në drejtim të veturës së vet zyrtare, e cila gjithashtu nuk u kursye nga gurët.
Të përkujtojmë, gjatë luftës katërvjeçare në Bosnje dhe Hercegovinë, Aleksandar Vuçiq, atëbotë nënkryetar i Partisë Radikale serbe, parti kjo e cila ishte në pushtet në koalicion me Partinë Socialiste Serbe të Sllobodan Millosheviqit, ishte anëtarë i qeverisë serbe dhe ministër i informatave.
Ai duke e imituar “idhullin” dhe kryetarin e vet Vojisllav Sheshel, por edhe si ministër i informatave në qeverinë e Serbisë, ishte një prej luftënxitësve më të zëshëm kundër boshnjakëve të cilët luftonin kundër ekspansionit serbomadh në Bosnje dhe Hercegovinë.
Mirëpo, pasi Serbia dhe ideologjia e Millosheviqit të cilën Vuçiqi e përcillte verbërisht dështoi dhe përfundimisht Serbia i humbi të gjitha luftërat si në Bosnje dhe Hercegovinë ashtu edhe në Kroaci dhe Kosovë, Aleksandar Vuçiq, “si me shkop magjik” u shndërrua në “demokrat” i cili “angazhohet për paqe dhe stabilitet në Ballkan”.
Megjithatë sa i përket viktimave të Srebrenicës ai, si dhe të gjithë politikanët aktual serb, vazhdimisht ka kontestuar se ka pasur ndonjë lloj gjenocidi apo masakre në Srebrenicë, porse vetë viktima të luftës në mes të serbëve dhe boshnjakëve.
Në këtë kontest ai edhe shkoi në Srebrenicë për t’i nderuar, siç u shprehë atëbotë “ të gjithë viktimat e luftës së përgjakshme”. Mirëpo, populli nuk e ka harruar as atë e as propagandën e tij dhe disa individë të fyer me vet praninë e Vuçiqit në këtë ditë zie në Srebrenicë, reaguan në mënyrë të dhunshme duke e përzënë atë nga Memoriali.
Mirëpo, politikanët serb në krye me Vuçiqin nuk ndalen vetëm në mohimin e masakrave të kryera në Bosnje dhe Hercegovinë, ata këtë lloj të propagandës, të njohur si “njëqind gënjeshtra, një e vërtetë”, vazhdimisht e përdorin edhe në mohimin e masakrave të kryera edhe në Kosovë./Insajderi