Moderatorja Almedina Ismajli rrëfehet për Pa Censurë: “Ju tregoj rrugëtimin tim më të bukur të jetës”

Intervistoi: Vedat Abdi
Pregaditi: Rufije Loku

Përkushtimi ndaj punës dhe profesionit është gjëja e parë që na bënë përshtypje tek njerëzit, e sidomos kur ata janë gazetar.

Ne kemi hasur në persona të tillë që me zell bëjnë punën e tyre, duke u marrë shembull nga të tjerët.
Pa Censurë ka realizuar një intervistë me një nga gazetaret më të dashura për publikun.
Bëhet fjalë për Almedina Ismajlin, që tash e disa vite është gazetare dhe moderatore në TV21.
Përveç punës dhe përkushtimit të saj, mund të themi që Almedina është nga gazetaret më të bukura në Maqedoninë e Veriut.

Ndërsa sot në këtë intervistë ajo na tregon për të gjitha rrugëtimin e saj në gazetari dhe moderim, për sfidat sukseset, motivimet dhe shumë gjëra të tjera që nuk i dinim sa i përket personalitetit të Almedinës.

Kush kanë qenë ndikimet e tua më të forta në jetë?
Ndikimi dhe motivi im në jetë është babi. Ani pse nuk është fizikisht pran meje, influenca që ka lënë tek unë, biles pa pasur nevojë të flet fare, duke ma demostruar në praktikë, është e stërmadh. Do të doja të kisha të paktën 10% të shprehisë së punës që ka patur ai dhe 10% të shembullit si prind.

Çfarë të inspiron më shumë?
E urrej të vras kohën me njerëz që nuk ia vlejnë. Më mirë të fle gjumë se të pijë kafe me individë që të përçojnë negativitet, thashetheme apo çfarëdo lloj dukurie tjetër negative. Më inspirojnë të mençurit, personat e arrirë në jetë, femrat e suksesshme, familjet e mira dhe të shëndosha, më pëlqen të bashkëbisedoj me njerëz të zgjuar, me të cilët këmbej ide dhe përvoja. Nuk jam pesimiste po as tip i tillë që zgjohem në mëngjes me buzëqeshje e duke vallëzuar, për të shkuar në punë. Vështir motivohem për ndonjë çështje, po zakonisht kur jam produktive në punën që ushtroj ndihem e kompletuar.

Nëse do të të jepej mundësia e dytë, çfarë do të ndryshoje?
Vështrë të përgjigjem. Njeriu duke u rritur, në periudha të ndryshme të jetës, evoluon në mendime. Nëse në një periudhë të caktuar kam marrë ndonjë vendim, është ngaqë kam gjykuar se është më së miri. Parë nga këndvështrimi i moshës që kam tani, do të doja më mirë ta shfrytëzoja kohën sepse ajo nuk kthehet dhe ndonëse e kam rrethin shoqëror të ngushtë, të njëjtin do ta përgjysmoja, po të kthehesha në kohë.

E pyetur për profesionin e saj që ushtron tani si moderatore dhe gazetare njëkohësisht ajo thotë se rrugëtimi i saj ka filluar që në moshë të vogël, ani se nuk ka studiuar për këtë fushë por dashuria dhe harmonia nga kolegët si dhe besimi i qytetarëve që qajnë hallin tek ajo, e bën të ndihet shumë e veçantë në këtë drejtim.

“Filloi që e vogël me një krehër në dorë duke i pyetur mysafirët që na vinin në shtëpi çfarë kafe donin. Nuk kam studiuar për gazetari, mirëpo dashurinë për profesionin ma dhanë kolegët, kryeredaktori i TV21 dhe besimi i qytetarëve që qajnë hallin tek unë. Gazetaria ngërthen në vetë shumë profesione, të jep adrenalinë dhe dinamikë të paparë dhe nuk të bëhet asnjëherë monoton. Kamerën e dua dhe më do, prandaj shfaqem edhe si moderatore në emisionin Pastel. Së shpejti me shumë risi në këtë drejtim…”.

Gazetarët hasen çdo ditë me një shumëllojshmëri komentesh, provokimesh. A ju bëjnë përshtypje komentet negative nga opinioni?
Çdo ditë mësoj diçka të re sa i përket gazetarisë, ndeshem me lloj-lloj përvojash. I vlerësoj shumë komentet dhe dua të dëgjoj opinionin e të tjerëve ndaj punës sime. Ama nuk më lënë përshtypje kritikat që vijnë nga parazitë, e që shkruajnë nga ulëse komode, teksa shijojnë ndonjë filxhan kafe a çaj.

Ke intervistuar personazh publik nga fusha të ndryshme, kë do të doje dhe kë nuk do të doje që ta kishe si të ftuarin tënd?
Nuk do ta ftoja asnjëherë modelen Arbenita Ismajli, ngaqë do t’ia nxirrja të gjitha të zezat në emision. Përtej shakave, mysafirët që imponohen me zor në emision nuk me pëlqejnë dhe mendoj se nuk duhet dhënë hapësirë mediatike çdokujt. Sidomos personazheve që shëtisin të gjtha emisionet e mundshme.

Ke menduar ndonjëherë që të ndërroje profesion?
Unë nga karakteri jam tip që mërzitet shpejt. Ani pse gazteria është dinamike, nëse nuk avancohem ose ngeli në të njëjtën pozitë për 3-4 vjet, sigurisht se do të ndërroj profesion. Përndryshe profesioni im i ardhshëm për të cilin po mendoj dhe më duket goxha i rëndë është “nënë”. Pos kësaj edhe ta ushtroj detyrën për të cilën kam studiuar, profesoreshë e gjuhës shqipe.

Për çfarë nuk do të bëje kurrë kompromis?
Për gjëra që cënojnë dinjitetin, karakterin tim dhe të dashurit e mi.