MMJPH ka filluar procedurën për hartimin e Ligjit për Mbrojtjen e Tokës


Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini, sot ka hapur punëtorinë “Zhvillimi i rregullores për menaxhimin e tokës”, me të cilën ka filluar zyrtarisht procedura për hartimin e Ligjit për Mbrojtjen e Tokës.

Duke theksuar se shmangia e degradimit të tokës është e një rëndësie vendimtare për mirëqenien tonë dhe të biodiversitetit, ministri Nuredini tha se Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ka filluar përgatitjen e një ligji të veçantë, i cili do të rregullojë menaxhimin dhe mbrojtjen e tokës, politikat dhe masat e ardhshme që duhet të ndërmerren nga autoritetet kombëtare dhe lokale, dhe të cilët do të përcaktojnë qartë kompetencat institucionale dhe financimin lidhur me mbrojtjen e tokës.

Ky proces mbështetet përmes projektit “Promovimi i Menaxhimit të Qëndrueshëm të Tokës, përmes forcimit të kornizës ligjore dhe institucionale, ngritja e kapaciteteve dhe Restaurimi i Peizazheve Malore më të cenueshme”, që financohet nga Fondi Global i Mjedisit (Global Environmental Facility – GEF) dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (United Nation Environment Programme – UNEP), në kuadër të të cilët u mbajt kjo punëtori.

Në këtë ngjarje u prezantua Plani për përfshirjen e palëve në hartimin e Ligjit për Mbrojtjen e Tokës, i cili do të ofrojë bazë për përfshirje transparente dhe publike të të gjitha palëve të interesuara në hartimin e ligjit. Gjithashtu, u diskutua edhe për sfidat rreth menaxhimit të tokës dhe presionet që ndikojnë negativisht në cilësinë e tokës.

“Qëllimi i punëtorisë ishte identifikimi i të gjithë palëve që kanë autoritet mbi tokat dhe me veprimet e tyre ndikojnë në cilësinë e tokave, si një nga mediumet e mjedisit jetësor. Kjo është e para nga një seri punëtorish dhe debatesh që do të organizohen në kuadër të projektit, të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin e një kornize të mirë ligjore për mbrojtjen e tokës përmes një procesi transparent. Toka siguron bazën kryesore për jetesën dhe mirëqenien e njerëzve, duke përfshirë furnizimin me ushqim, ujë të ëmbël dhe shumë shërbime të tjera të ekosistemit, si dhe siguron ekzistencën e biodiversitetit. Përdorimi njerëzor ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e tokës në më shumë se 70% të sipërfaqes globale të tokës, duke mos përfshirë sipërfaqen nën akull. Toka gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në ndryshimet klimatike dhe menaxhimin e qëndrueshëm, dhe e njëjta mund të kontribuojë ndjeshëm në reduktimin e ndikimeve negative të faktorëve të shumtë stresues”, thonë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, toka ende nuk është rregulluar ligjërisht dhe që përdoret, para së gjithash si burim, pa vendosur masa që duhet të ndërmerren për shkak të menaxhimit dhe mbrojtjes së mirë të tokës.