Mjeku shqiptar nga Italia flet për valën e dytë të koronavirusit

Mjeku shqiptar i Urgjencës në Novara të Italisë, Taned Demaj tha se gjendja në Itali për momenti paraqitet e stabilizuar, me shumicën e të infektuarve nga COVID-19 asimptomatikë, çka ka shmangur dyndjen në spitale.

Sipas tij frika e një vale të dytë ishte prezente gjatë gjithë verës, me lehtësimin e masave kufizuese pas karantinës, dhe vijon të jetë në fuqi edhe për periudhën e vjeshtës dhe dimrit ku siç tha, ardhja e gripit dhe virozëve do ta ndërlikojë disi situatën.

“Tani është frika e një vale të dytë, por nga ajo çfarë panë epidemiologët, edhe pse tani njerëzit po lëvizin më shumë, po dalin edhe jashtë vendit, mbajtja e maskave, dhe shtimi i numrit të tamponëve, deri në 110 mijë në ditë e ka lehtësuar disi situatën. Higjiena është gjëja e parë. Edhe në shkolla ka pasur fëmijë me shenja të COVID, por janë identifikuar dhe janë karantinuar, nuk janë mbyllur shkollat”, tha ai për Euronews.
Zgjidhja, sipas tij në kushtet e stinës, kur një pjesë e mirë e njerëzve kanë simptoma të ngjashme me ato të COVID, është të bëhet diagnoza diferenciale.

“Jo çdo teshtimë është COVID. Duhet bërë diagnoza diferenciale e pacientëve; bëhet izolimi, tamponi dhe përcaktohet diagnoza”’, tha mjeku.