Mjeku shqiptar: Duhet një vaksinë deri në 80 për qind efikase për ta zhdukur gjerësisht pa masa shtrënguese COVID-19


Mjeku Ilir Alimehmeti tha për Euronews Albania se për ta zhdukur gjerësisht një virus si COVID-19 pa masa shtrënguese kërkohet një vaksinë që të ketë efikasitet deri në 80 për qind.
Sipas mjekut, sa më i ulët është efikasiteti i vaksinës, aq më e madhe duhet të jetë përqindja e popullsisë së vaksinuar.

“Kemi Izraelin që ka një përqindje të madhe vaksinimi vetëm me ‘Pfizer’, Anglia ka vaksinuar më shumë se gjysmën e popullsisë me ‘AstraZeneca’ dhe ‘Pfizer’ dhe ka një rënie të dukshme të infektimeve. Në SHBA përqindja e të vaksinuarve është më e ulët, diku tek 27 për qind po kanë disa lloj vaksinash që nga ‘Pfizer’ tek ‘Moderna’, edhe atje infeksioni është në rënie.
Serbia ka 37 për qind të popullsisë të vaksinuar, por është në rritje të rasteve, Hungaria, 27 për qind të popullsisë të vaksinuar, por është gjithashtu në rritje të rasteve. Pra sa më i ulët është efikasiteti i vaksinës, aq më e madhe duhet të jetë përqindja e popullsisë së vaksinuar”, shpjegoi mjeku.

Ai rekomandoi që të moshuarit që kanë marrë dozën e parë të vaksinës duhet të vijojnë të tregojnë kujdes të shtuar pasi nevojitet që të merret edhe doza e dytë e vaksinës e më tej të kalojë një periudhë dyjavore që të krijohet një lloj imuniteti.
“Risku vazhdon në përqindje më të ulët, por duke bërë këtë element harrojmë diçka tjetër; varemi nga imuniteti i komunitetit. Duhet që përqindja e të vaksinuarve dhe me një vaksinë me efikasitet të latë që ne të jemi të qetë si shoqëri”, tha mjeku Ali Mehmeti.