Mjeku nga Kumanova: Mërgimtarët i pret dhurata speciale me nga 14 ditë “hapsane”

Mjeku i njohur nga Kumanova, Selver Jashari ka ironizuar vendimin e qeverisë së Maqedonisë Veriore për hapjen e kufijve por me masa dhe kushtëzime të tepërta. Sipas tij, mërgimtarët, të cilët mbajnë gjallë ekonominë e Maqedonisë nëse vendosin me ardhë do të ‘burgosen’ për 14 ditë dhe do mbesin pa pushim.

“Sivjet, mërgimtarët që vendosin me ardh në Maqedoni, kanë me u kënaq duke pushu!
Në kufi i pret dhurata speciale me nga 14 ditë “hapsane” për secilin që vendos të shkel këtë vend të “shenjtë”…
Të lumët ju ku do vini!”, është shprehur Jashari.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e 69-të qeveritare ka vendosur që nga nesër të hapë të gjitha vendkalimet kufitare në vend, por duke zbatuar masat që janë aktive për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19).

Sipas vendimit të qeverisë, për të hyrë në territorin e Maqedonisë së Veriut është i obligueshëm një test negativ PCR jo më i vjetër se 72 orë dhe nënshkrimi i një deklarate të vetë-izolimit të obligueshëm për 14 ditë, në bazë të të cilit Inspektorati Sanitar dhe Shëndetësor i vendit përgatit një vendim për mbikëqyrje shëndetësore dhe izolim shtëpiak, që do të kontrollohet nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Në njoftimin e qeverisë theksohet se po ashtu mbetet në fuqi masa e karantinës shtetërore 14-ditore për të gjithë qytetarët e vendit ose të huajt me qëndrim të rregulluar në vend, të cilët hyjnë në territorin e vendit pa paraqitur testin e vlefshëm PCR./INA