Mjeku nga Berlini: 90 për qind e pacienteve në Gjermani e kaluan COVID-19 pa trajtim spitalor

Fahri Beqa, mjek internist dhe kardiolog ka treguar se deri dje në Gjermani ishin diagnostikuar 4 mijë e 150 raste me koronavirus. Prej tyre kanë vdekur 8 persona të gjithë të moshuar dhe që kanë pasur edhe probleme tjera shëndetësore. 46 pacient janë shëruar.

Eksperti i shëndetësisë publike, Fahri Beqa, që punon prej 12 viteve në Berlin, ka thënë se shumica e pacientëve në Gjermani s’kanë pasur nevojë për mjekim spitalor pasi COVID-19 ka qenë i lehtë.

“Rreth 90% e të prekurve nuk kanë pasur nevojë fare të marrin mjekim spitalor, sepse simptomat dhe zhvillimi i semundjes ka qenë i lehtë”, ka shkruar Beqa.

Megjithëkëtë, mjeku kosovar ka shkruar se bazuar në të dhënat statistikore në Gjermani do të preken deri në 70 për qind e popullësisë.

“Tashmë parashikohet që 60-70% e popullsisë së Gjermanisë do të preken nga ky virus (sipas ekspertëve të Virologjisë).

Postimi i plotë i mjekut Fahri Beqa:

Coronavirus – UPDATE!!

Rasti i parë në Gjermani është vërtetuar më 29.01.20. Që nga atëherë deri sot në ora 16.40 janë regjistruar rreth 4150 raste zyrtarisht. Nga këta të infektuar, gjithsej 8 persona, të gjithë të moshuar dhe multimorbid (të sëmurë kronik të diagnostifikuar me shumë sëmundje), kanë vdekur. Domethënë shkalla e vdekshmërisë në Gjermani është 0,2%. Lajm i mirë është që 46 të sëmurë të tjerë që janë mjekuar nëpër spitale janë shëruar plotësisht dhe janë lëshuar në shtëpi (dmth testi pas mjekimit ka qenë negativ).

Rreth 90% e të prekurve nuk kanë pasur nevojë fare të marrin mjekim spitalor, sepse simptomat dhe zhvillimi i semundjes ka qenë i lehtë.

Tashmë parashikohet që 60-70% e popullsisë së Gjermanisë do të preken nga ky virus (sipas ekspertëve të Virologjisë). Çështja është që përhapja e infeksionit të jetë sa më e ngadalshme dhe e kontrolluar (Grafikoni ne foton 2) në mënyrë që të përballohet nga sistemi shëndetësor. Prandaj edhe janë marrë masat që të parandalohet përhapja e shpejtë (kryesisht shmangie nga tubimet mbi 50 persona, mbyllje e shkollave dhe institucioneve tjera si dhe kufizim nacional dhe internacional i lëvizjes së njerëzve). Një përhapje e shpejtë dhe e pakontrolluar e Coronavirusit nuk do të mund të përballohej edhe nga sistemet më të sofistikuara shëndetësore (siç shihet edhe nga rasti i Italisë – shkalla e vdekshmërisë mbi 6%).

Një lajm tepër i rëndësishëm sot i konfirmuar edhe nga Ministri i Shëndetësisë së Francës është që të shmanget përdorimi i Ibuprofenit dhe barnave të grupit të njejtë për zbritje të temperaturës – sepse është vërtetuar që e favorizon zhvillimin e shpejtë të sëmundjes duke përshpejtuar replikimin e virusit Corona (kjo mund edhe të jetë diskutabile mirëpo derisa të dëshmohet e kundërta duhet të shmanget përdorimi i Ibuprofenit).

Si medikament për zbritje të temperaturës preferohet Paracetamoli.

Definitivisht nuk duhet të injorohen masat që duken shumë të thjeshta por që janë shumë të rëndësishme për përhapjen e kontrolluar të infeksionit (larja e shpeshtë e duarve, shmangia e kontakteve me njerëz në masë, mosshtërngimi i duarve, mosvizitimi i të sëmurëve nëpër spitale e të ngjajshme).

Nëse keni të sëmurë kronik në shtëpi krijoni distancën e nevojshme nga ata në mënyrë që ata të jenë të mbrojtur.

Nëse megjithatë jeni të infektuar dhe ju paraqiten simptomat (temperaturë, kollë e thatë etj.) mos u nisni për në spital por telefononi dhe përcillni udhëzimet pastaj.

Dhe pa panikë mbi 99% e te infektuarve megjithatë e mbijetojnë këtë sëmundje.

Lajm i mirë sot ishte edhe dekodimi i virusit si dhe fillimi i suksesshëm i fazës së parë të testimit të vaksinës në laborator. Në fazat tjera pastaj fillon testimi në njerëz.

Kujdes, shëndet dhe suksese!!!