Mjeku i ri, Adhurim Fazliu tregon përvojat dhe emocionet nga “fronti i parë” në luftën kundër Koronavirusit në Shkup

Adhurim Fazliu është një mjek i ri, që sa po ka filluar karrierën e tij në këtë profesion. Në një situatë normale, ai në këtë fazë fillestare të karrierës së tij, do të duhej të krijonte një rutinë tjetër të punës, të hulumtonte çdo vrimë të spitalit, të studionte detajet më të imëta dhe të dashurohej në profesionin e tij çdo ditë nga pak.

Por, kriza shëndetësore që ka përfshirë pothuajse gjithë globin, e ka vendosur edhe atë në frontin e parë të luftës kundër armikut të panjohur e misterioz. Pra, gjendja e jashtëzakonshme e ka pjekur atë shumë herët në profesion, duke e përballë me situata të papritura e të pa paramenduara.

Adhurim Fazliu

“Është hera e parë si punëtor shëndetësor të ballafaqohem me një problem të këtillë global. E kam përjetuar tepër rëndë pasi që në fillim të karrierës mjekësore u gjeta i radhitur në vijën e parë të frontit kundër kësaj pandemie e cila tanimë është problemi kryesorë që po tangon botën javëve të fundit. E papritur më e madhe ne këtë kohë pandemie është statusi i personit që kërkon ndihmë mjekësore, personi në fjalë a është pozitiv në testin për koronë ose negativ”, tha Fazliu.

Ai tha më tej se që nga dita e parë kur u regjistrua rasti i parë i infektuar me virusin korona, po punojnë me orar të zgjatur, dhe me fluks të rritur të punës.

“Nga përvoja ime do veçoja mënyrën e shpejtë të përhapjes së virozës dhe zhvillim gradual të simptomave deri në manifestim final të sëmundjes si pneumoni atipike. Emocionet që kaplojnë ekipin në momentet që pranojmë thirrje për intervenim mjekësore ndaj personit të dyshuar se është infektuar me koronë janë të pa përshkruara, adrenalinë, frikë, pasiguri, paqartësi”, deklaroi Fazliu.

Lodhja fizike dhe emocionale sigurisht se i ka kapluar, tha Fazliu, por i mban në këmbë dëshira për ti qëndruar pranë çdo personi që ka nevojë për ndihmë deri në mposhtjen finale të virusit korona, e cila siç u shpreh ai “nuk guxon të na zmbraps”.

“Ndjehem i privilegjuar që jam pjesë e IPSH “Shtëpia e shëndetit-Shkup” reparti ndihma e shpejtë dhe njëkohësisht tepër krenar me punën e gjithë personelit mjekësor që po menaxhon me precizitet kirurgjik situatën e krijuar duke vendosur si prioritet shëndetin dhe jetën e qytetarit para shëndetit tonë. Ndjehemi të rrezikuar pasi që në këtë kohë që po kërkohet izolimi nëpër shtëpi ne duhet të jemi në teren ,por me përdorimin e mjeteve mbrojtëse besoj se po parandalojmë përhapjen e sëmundjes e në të njëjtën kohë ofrimin e shërbimit cilësorë mjekësor”, tha Fazliu.

Ai këshilloi qytetarët që t’iu binden rekomandimeve të institucioneve relevante, duke shmangur kontaktet dhe shëtitjet e panevojshme për të parandaluar përhapjen e virusit.

Për shkak të paraqitjes së virusit korona, ndërsa me qëllim të përhapjes së mëtejmë, Maqedonia e Veriut shpalli më 18 mars gjendje të jashtëzakonshme. Momentalisht numri i të infektuarëve është 114, ndërsa sot është shënuar edhe viktima e dytë që ka pasur për pasoj këtë virus.

Ndryshe Doktor Adhurim Fazliu është nga vendbanimi Kondovë , komuna e Sarajit./Portalb