Mjekët ukrainas kryejnë operacionet me llambë dore për shkak të mungesës së rrymës

Mjekët ukrainas kanë filluar të kryejnë operacione me dritë pishtari për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike, të shkaktuar nga sulmet me raketa ruse në shkallë të gjerë të mërkurën, raportoi CNN-i. Borys Todurov, kreu i shërbimeve mjekësore në Institutin e Zemrës në Kiev, postoi një video në Instagram ku tha se tregonte mjekët që mbanin fenerët teksa kryenin një operacion në zemër te një fëmijë.

“Operacioni ishte duke u zhvilluar kur u ndërpre rryma. Spitali nuk kishte ujë për disa orë”, shtoi ai. Drejtori i spitalit Mechnikova në rajonin qendror të Dnipropetrovsk tha se “dhjetëra pacientë në gjendje kritike ishin në tavolinat e operacionit kur dritat u fikën. Anesteziologët dhe kirurgët vendosin fenerët për të shpëtuar secilin prej tyre”, shkroi doktor Sergii Ryzhenko në Facebook. Për këto operime ka reaguar edhe Ministria ukrainase e Shëndetësisë.
“Mungesa e dritës nuk do të na ndalojë”, është thënë në reagimin e saj.