Mjekët sllovakë mund të humbasin licencën për përhapjen e dezinformatave për Kovid-19

Shërbimi mbikqyrës së kujdesit shëndetësor të Sllovakisë ka filluar hetimin e një grupi mjekësh të profilit të lartë për përhapjen e dezinformatave të rrezikshme lidhur me COVID-19, të cilat mund t’i çojnë në humbjen e licencave të tyre mjekësore, raporton Euroactiv.

“Është e papranueshme që një mjek të vërë në dyshim ekzistencën e Kovid-19, të pretendojë se vaksinat janë mashtrim ose të rekomandojë barna që nuk janë të indikuara si trajtim për sëmundjen”, tha agjencia qeveritare të hënën.
Grupi prej pesë mjekësh nën hetim kanë qenë aktiv në mediat sociale dhe uebfaqet për dezinformim, duke rekomanduar ilaçin veterinar ivermektin dhe duke u shprehur kundër vaksinimit. Njëri nga mjekët mori gjobë prej 500 eurosh lëshuar nga Oda sllovake e Mjekësisë, një organizatë joqeveritare profesionale, por që nuk arriti t’i jepte fund veprimtarisë së tij.

Autoriteti qeveritar dëshiron të bëjë më shumë në luftën kundër dezinformimit dhe tani po ndan njohuritë me Odën e mjekëve të Austrisë, e cila tashmë ka hequr licencën e një mjeku për dhënien e informacionit mashtrues.
Agjencia u ka kërkuar gjithashtu mediave që të mos publikojnë deklaratat e pesë mjekëve dhe u ka kërkuar mediave sociale që të fshijnë postimet e tyre. Sllovakia është ndër vendet më pak të vaksinuara të BE-së, me vetëm 47% të popullsisë së saj që ka marrë dy doza COVID-19 dhe më pak se 13% ka marrë një vaksinë përforcuese.