Fshehja e simptomave të virusit korona dhe mos lajmërimi në mjek, rrezikon si personin në fjalë, familjen e tij, por edhe gjithë shoqërinë, vlerëson epidemiologia Largime Ballazhi. Ajo thotë se virusi Korona mund të prek kë do dhe nuk është aspak e turpshme që të tregohen simptomat. Ballazhi kërkon që personat në karantinë shtetërore të mos stigmatizohen.
“Vërtetë kemi pasur raste të tilla që nga frika nga paniku nga buja që po bëhet nga portalet apo nuk e di çfarë, njerëzit i fshehin simptomat, bile refuzojnë njëkohësisht edhe tu merret strisho. Ky do të jetë gabimi më drastik. Këto persona duhet të komunikojnë me mjekun amë që mjeku amë të pyes pacientin në fjalë dhe në qoftë se ka indikacione simptome dhe gjithçka tjetër, pra lidhje epidemiologjike duhet caktuar termin për të marrë strisho dhe nëse gjendja është e rënduar, duhet me patjetër të marr kujdes mjekësor. Sepse këto paraqesin rrezik, ne nuk e dimë a janë pozitiv apo negativ” – tha Largime Ballazhi, epidemiologe.
Pikërisht shkaku i mos respektimit të ndalesave të vendosura nga Qeveria dhe nga Instituti i Shëndetit Publik, dhe fshehja e simptomave, ka bërë që numri i të infektuarve të shkojë në rritje, thonë nga Instituti i Shëndetit publik në Tetovë.
“Në qytetin e Tetovës për fat të keq qytetarët nuk kanë respektuar këshillat e Institutit për Shëndet Publik dhe Ministrisë së Shëndetësisë, dhe si rezultat i saj, numri i rasteve të reja dita ditës shtohet” – deklaroi Naim Skenderi.
Institucionet lokale madje kërkojnë që të lajmërohen jo vetëm simptomat apo personat që janë të infektuar, por edhe personat me të cilët ata kanë pasur kontakte.
“Kemi kërkuar nga ata qytetarë që dalin pozitiv që në mënyrë të drejtë të ndershme, njerëzore, t’i paraqesin kontaktet e tyre me qëllim që të testohen, sepse përhapja ka të bëjë me një vijë e cila infekton më shumë njerëz” – tha Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.
Në qytetin e Tetovës, numri i të infektuarve ka arritur në 31, ndërsa 2 kanë nderuar jetë po nga ky virus.