Mjekët nga Klinika e Fëmijëve kanë bërë një sërë lëshimesh, të cilat çuan në vdekjen e foshnjës 14-muajshe, tregoi mbikqyrja profesionale


Mjekët nga Klinika e Sëmundjeve të Fëmijëve më 3 tetor të këtij viti bënë një lëshim kur nuk e shtruan në spital foshnjën 14-muajshe që më vonë ndërroi jetë, tregoi mbikëqyrja profesionale e Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas raportimit të “Sloboden Peçat”, prindërit kishin çuar foshnjën në spital, por u refuzuan për hospitalizim. Në Klinikën e Sëmundjeve Respiratore tek Fëmijët “Kozle”, është konstatuar një vlerësim joadekuat dhe i vonuar për seriozitetin e problemeve të frymëmarrjes.

Mbikëqyrja profesionale konstatoi lëshime të tre llojeve: sistematike, teknike dhe profesionale. Në lëshimet sistematike, është konstatuar mungesa e rekomandimeve ose algoritmeve për triazhimin e pacientëve gjatë pranimit dhe nevoja për trajnim të vazhdueshëm të mjekëve në Klinikën e Fëmijëve për sëmundjet e zemrës. Sa i përket lëshimeve teknike, në Kozle është konstatuar nevoja për një aparat për mbështetje respiratore dhe përmirësimin e organizimit të transportit nga një institucion në tjetrin, tha ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.

Taravari tha se raporti i komisionit do të dërgohet në të dyja klinikat dhe në Komisionin Etik në Dhomën e Mjekëve, duke shpresuar se do të merret seriozisht dhe do të ndërmerren masa. Për rastin e 31-vjeçares nga Kumanova, e cila ndërroi jetë më 27 shtator, komisioni nuk ka konstatuar lëshime.