Mjekët në Tetovë me apel: Mos konsumoni barna pa rekomandim të mjekëve

Në Tetovë me rrethinë ka më shumë persona të infektuar nga koronavirusi, se sa flasin shifrat zyrtare. Kështu thotë koordinatori i Covid Qendrës në Spitalin e Tetovës Gzim Nuredini. Ai thotë se pacientët paraqiten vonë në spital ndërsa paraprakisht as nuk testohen. Nuredini apelon pacientët që pa rekomandim të mjekut amë të mos konsumojnë barna, sidomos, antibiotikë.

“Ka pacientë të cilët janë shëruar në kushte shtëpiake kanë marrë terapi dhe në fund vijnë përsëri në gjendje të rëndë dhe sa i përket pjesës së hospitalizimit nuk kemi numër të zvogëluar sepse këta pacientë që mundohen të shërohen me alternativa të ndryshme përsëri përfundojnë te ne edhe atë në gjendje më kur kanë nevojë edhe për oksigjen por edhe terapi. Mos filloni me antibiotikë sepse marrja e antibiotikë për një javë sa ka filluar kjo sëmundje shkakton rezistencë pastaj kur do të na duhet ti japim terapi nuk do ketë efekt sepse do krijojë rezistencë – deklaroi Gzim Nuredini, koordinator i Covid Qendrës në Spitalin e Tetovës.

“Ndërkohë, sa i përket situatës me të prekurit nga virusi korona në sferën e arsimit, në çerdhet e Tetovës ka pesë të prekur dhe tre grupe klasore në izolim. Në shkollat fillore janë 12 mësimdhënës pozitiv dhe tre klasa në izolim, ndërsa në shkollat e mesme, kemi 11 mësimdhënës që kanë rezultuar pozitiv”.

Në Tetovë me rrethinë aktualisht ka 984 raste aktive me koronavirus. Që nga fillimi i pandemisë numri i të infektuarve me koronavirus në këtë rajon arrin në 4410 raste, ndërsa 173 persona kanë ndërruar jetë. Edhe përkundër shifrave të larta, në rrugët e qytetit edhe më tej mund të vërehen persona që nuk mbajnë maska mbrojtëse. SPB në Tetovë për një javë ka shqiptuar gjoba ndaj 463 personave për mos mbajtje të maskave./Bashkim Sulejmani