Mjekët në QKUK shpëtojnë një foshnje serbe, nëna: Çdo serb të trajtohet këtu, na pritën shumë mirë

Mjekët e ORL’së në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës i kanë shpëtuar jetën foshnjës 9 muajshe- me përkatësi etnike serbe, duke ia larguar një kokërr të fasules nga bronku kryesor i mushkërisë së djathtë. Ndërhyrja ka zgjatur rreth 40 minuta dhe trupi i huaj është larguar me procedurën e quajtur bronkoskopi.

Foshnja e gjinisë mashkull nga komuniteti serb, me vendbanim në Komunën e Kamenicës, ishte dërguar, fillimisht, në Spitalin e Gjilanit. Pas problemeve të theksueshme me frymëmarrje, mjekët e kanë intubuar pacientin dhe me urgjencë e kanë nisur në Prishtinë.

Gjendja shëndetësore e foshnjës është e mirë dhe sot do të lirohet për në shtëpi.
Milica Stojkovic, nëna e fëmijës, ka falënderuar mjekët për punën e bërë, derisa ka mbetur e habitur me pritjen dhe shërbimet e ofruara.

“Jashtëzakonisht jemi të kënaqur me mënyrën se si është trajtuar foshnja jonë. Nuk kam fjalë ta përshkruaj. Këtu njerëzit nuk dallohen në bazë të nacionalitetit. Çdo serb që ka probleme shëndetësore, mund të vijë këtu pa asnjë problem”, tha Stojkovic.