Mjekët në Gostivar alarmojnë për situatën e rëndë nga virusi Korona

Katër persona kanë ndërruar jetë në Gostivar nga virusi korona, që nga dita e djeshme e deri më sot, ndërsa dy të tjerë, janë në gjendje tejet kritike thonë në repartin e sëmundjeve infektive të Gostivarit. Sipas mjekëve situata është kritike dhe po luftohet për shpëtimin e pacientëve. Për shkak se reparti Infektiv në Gostivar është i mbushur, janë hapur dy reparte të tjera për trajtimin e pacientëve me COVID-19.

“Situata vazhdon të jetë alarmante reparti është i mbushur me pacientë dhe është duke na dalë nga kontrolli pra është tejet shqetësuese. Me stafin mjekësor ceka një herë që vetëm tre mjekë jemi dhe na vjen çdo të dytën natë nga 24 orë të kujdestarojmë pra edhe lodhje edhe me mjek është deficiti i madh”, tha Lirim Beiqir, Reparti infektiv Gostivar.

“Për shkak të shtimit të numrave të të prekurve nga virusi korona, dhe mungesës së hapësirës në infektologji, spitali i Gostivarit, nga dita e sotme lëshon në përdorim edhe dy reparte të tjera të adoptuara për të prekurit nga virusi korona, repartin për dializë dhe repartin për sëmundje interne”.

Situata është e ngjashme edhe në qytetin e Tetovës. Vetëm një ditë më parë kishte rreth 100 raste të reja, ndërsa katër persona kanë nderuar jetë. Për dallim prej Gostivarit, në Tetovë, sipas drejtuesve të spitalit, ka shtretër të lirë, ndërsa në rast nevoje, dy reparte të tjera të spitalit do të jenë në dispozicion të të prekurve nga virusi./ Bashkim Sulejmani