Polemika të furishme në Francë për vendimin e marrë nga trajneri i Saint-Etienne. Pascal Dupraz, pas humbjes së javës së kaluar, dyshohet se u ka kërkuar lojtarëve myslimanë që të mos agjërojnë gjatë muajit të Ramazanit. Arsyeja? Skuadra duhet të luftojë fort për të qëndruar në ligën e parë franceze. Klubi i Ligue 1, aktualisht në vendin e tretë nga fundi, duhet të luajë gjithcka për gjithcka në ndeshjet e play-out për të mos rënë nga kategoria. Fundjavën e kaluar, sikur të mos mjaftonte, ai pësoi një humbje të rëndë 6-2 ndaj Lorient, një tjetër skuadër që lufton për të qëndruar në ligën e parë.
Trajneri, pas ndeshjes, e cilësoi humbjen si një katastrofë kolektive: “Përgjegjësia e trajnerit është t’u përsërisë lojtarëve të tij se futbolli kërkon respekt. Duhet të respektosh bazat, është thelbësore, dhe kjo është ajo që ne nuk ditëm të bënim. Është një katastrofë kolektive, një mëkat krenarie, një sjellje vanitoze, jo një sjellje që i shkon për shtat një lojtari profesionist. Për të rikuperur kanë mbetur shtatë ndeshje dhe çfarëdo të ndodhë me rezultatet e tjera, pas kësaj jave, jemi në vendin e play-out. Është një dështim, e theksoj dhe marr përgjegjësinë për të”.
Skuadra e Dupraz është në vendin e 18 në renditje, katër pikë prapa rivalit Lorient dhe një pikë nga Clermont Foot, në vendin e 17. Kanë mbetur vetëm shtatë ndeshje për të shpëtuar dhe trajneri kërkon angazhim maksimal nga djemtë e tij. Sipas Get French Football News, tekniku madje u kërkoi lojtarëve myslimanë, rreth dy të tretat e ekipit të tij, të mos agjërojnë. Myslimanët në këtë periudhë agjërojnë çdo ditë nga lindja e diellit deri në perëndim të diellit për Ramazanin.
Këtë kërkesë Dupraz dyshohet se e ka bërë përmes bisedave ballë për ballë me secilin prej tyre. Një përpjekje e dëshpëruar për të tentuar të qëndrojë në Ligue 1. Ndërkohë, kjo kërkesë e tij ka ndezur në mënyrë të pashmangshme polemika në Francë. Tekniku përfundoi në qendër të vëmendjes për kritikat publike ndaj disa prej lojtarëve të tij më të rëndësishëm, si kapiteni i Saint-Etienne Wahbi Khazri dhe zëvendëskapiteni Timothée Kolodziejczak.