Mitsotakis: Turqia do ndeshet me pasojat


Turqia nga e hëna ka rinisur për 10 ditë analizat sizmike për gaz dhe naftë në Mesdheun Lindor duke irrituar shtetin grek dhe aleatët grekoqipriotë të rajonit. Rezervat e veta kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i ndau të martën në takimin me kryediplomatin gjerman Hajko Mass. Mitsotakis bëri të qartë se pala greke kërkon dialog me Ankaranë por me zhvillimet e fundit sanksionet ndaj saj duken të pashmangshme.

“Në takimin e fundit të Këshillit Europian, Turqisë i dhamë alternativën të përtërijë raportet me Europën ose të përballet me pasojat e sjelljes së vazhduar agresive. Për fat të keq, ka bërë zgjedhjen e dytë dhe nëse kujtoni konkluzionet tona në rast veprimesh të njëanshme që cenojnë të drejtën ndërkombëtare ne si BE do përdorim të gjitha instrumentet e nevojshme.”

Ministri i Jashtëm gjerman tha se provokimet e Ankarasë e kanë habitur atë vetë dhe Bashkimin Europian, porse solidariteti për shtetin grek nuk ka ndryshuar. Eksplorimet e Turqisë pranë ishujve grekë u qortuan një ditë më parë edhe nga Uashingtoni.

Shtrëngimi diplomatik kër*cënimet dhe frikësimi me veprime ushtarake nuk kanë për t’i zgjidhur tensionet në Mesdheun Lindor deklaroi zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit teksa ftoi Ankaranë të angazhohet për rifillimin e dialogut me Greqinë të lënë përgjysmë në 2016-n. Turqia pretendon se një pjesë e territorit dhe zonave ekonomike ekskluzive në Mesdheun Lindor Greqia i ka marrë padrejtësisht ndaj kërkon t’i rifitojë sipas parimit të ndarjes së ndershme. Një parim të tillë Ankaraja do ta zbatojë edhe për burimet energjetike në territorin qipriot