Pronarët e lopëve që u konfiskuan në aksionin e së premtes të Policisë së Kosovës në fshatin Karaçevë të Kamenicës, do të ushqehen me mishin e tyre. Ky ushqim atyre do të iu servohet në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, ku edhe gjenden aktualisht.
Se këto lopë do të theren për të burgosurit e kanë konfirmuar në Shërbimin Korrektues të Kosovës. Zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi ka treguar se 59 lopë që janë konfiskuar atë natë, tashmë janë vendosur në stallën e Qendrës Korrektuese në Dubravë.
“59 krerë lopësh që janë konfiskuar në aksionin e Karaçevës janë vendosur në stallën e Qendrës Korrektuese të Dubravës. SHKK tashmë i ka kërkuar AVUK-ut të dërgoi inspektorët veteriner të autorizuar për marrjen e mostrave të gjakut për analiza laboratorike rreth shëndetit të lopëve. Mostrat janë duke u marr në këto momente”, ka thënë Gashi.
E në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës kanë deklaruar se vendimi për këto lopë do të merret pas daljes së rezultateve.
“Zyra regjionale e AUV-it në Pejë ka urdhëruar praktikën veterinare të kontraktuar, nisjen e marrjes së mostrave të gjakut, nga ora 13:00. Në momentin që laboratori lëshon rezultatin, varësisht nga rezultati do të procedohen tutje”, ka thënë dje zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi për Express.
Ndryshe, pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës të premten mbrëma kanë realizuar një aksion në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës, zonë kjo kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas Prokurorisë së Gjilanit, aksioni është kryer nën dyshimin për bixhoz të paligjshëm, trafikim me njerëz, trafikim me armë, trafikim me narkotikë, kontrabandim me mallra dhe aktivitete të tjera kriminale.
Nën këto dyshime, janë arrestuar mbi 30 persona dhe janë sekuestruar aparate të lojërave të fatit, rreth 120 gjedhe, si dhe gjësende të ndryshme si prova materiale, që dyshohet të jenë përdorur në aktivitete kriminale.
Paralajmërime se një aksion i tillë do të ndodhte kishte dhënë vetë Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu.
Veliu ishte thirrur dje në interpelancë në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.
Gjatë fjalës së tij, ai kishte treguar se si në kohën sa në krye të Qeverisë ishte Albin Kurti, kishte kërkuar që të kryenin një operacion për mbylljen e kazinove në atë pjesë, por siç thotë, Kurti nuk i kishte dhënë leje.
“Është fakt i vërtetë që gjatë Qeverisë Kurti janë ndërtuar dhe kanë funksionuar pa pengesë të gjitha kazinotë. Në muajin shkurt nga shefi yt kam kërkuar që të bëhet operacion që të ndalojmë punën e kazinove, por nuk ka leju. Shko pyete”, ka thënë Veliu
Ai u kthehet deputetëve me fjalët se shumë shpejt do ta kryejë këtë aksion dhe se do ta shohin.
“Në shkurt më pengoi Kurti, tash s’më ndal askush. Atë punë do ta bëj dhe ndoshta do ta dëgjoni shumë shpejt, do ta bëj”, tha dje Veliu.